Kronikë
Tragjedia në Viti: Dënohet me 25 vjet burgim Egzon Shalti për vrasjen e Auron Ferizit
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj Egzon Shaltit, i cili akuzohej për vrasjen e Auron Ferizit, ngjarje kjo e regjistruar më 8 shtator 2025 në komunën e Vitisë. Përveç dënimit me burgim, ndaj të pandehurit është caktuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale në gjendje të aftësisë mendore esencialisht të zvogëluar, si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme që kishte me të dëmtuarin V.G.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 shtator 2025, rreth orës 20:29, në sheshin “Bafti Haxhiu” në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti. I pandehuri E.Sh., duke drejtuar veturën e tij të tipit “Opel Insignia”, fillimisht ishte afruar dy herë pranë tavolinës ku po qëndronin viktimat, duke u vërsulur me automjet, por pa i goditur. Herën e tretë, pasi i kishte parë përsëri të dëmtuarit V.G., M.A., A.S., E.S. dhe të ndjerin A.F. duke qëndruar në një tavolinë afër pllatosë në sheshin “Bafti Haxhiu”, ai ka devijuar nga shiriti i djathtë në atë të majtë dhe ka shtuar shpejtësinë.
Me pjesën e përparme të automjetit, ai ka goditur direkt personat që po qëndronin aty. Si pasojë e goditjes, V.G., A.S. dhe E.S. pësuan lëndime të lehta trupore, M.A. pësoi lëndime të rënda, ndërsa Auron Ferizi, për shkak të dëmtimeve të rënda dhe gjendjes kritike, u transferua në repartin e mjekimit intensiv në QKKUK në Prishtinë, ku më 10 shtator 2025 ndërroi jetë pa mundur t'u mbijetojë plagëve.
Për këto veprime, E.Sh. akuzohej për veprën penale “Vrasje e rëndë në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore”. Trupi gjykues, pas shqyrtimit të të gjitha provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve, vendosi ta dënojë atë me 25 vjet burgim.
Krahas dënimit kryesor, gjykata i ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në një institucion shëndetësor, si dhe dënimin plotësues prej 5 vitesh ndalim të drejtimit të automjetit, i cili hyjnë në fuqi pas formës së prerë të aktgjykimit, pa u llogaritur koha e kaluar në burg.
Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues sqaroi se gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit janë marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Vendimi për 25 vjet burgim, dhe jo për burgim të përjetshëm, u mor duke u bazuar në dispozitat ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat ndalojnë dënimin e përjetshëm për personat që në kohën e kryerjes së veprës penale janë nën moshën 21 vjeç ose kanë qenë në gjendje të aftësisë mendore esencialisht të zvogëluar, siç ishte rasti konkret i të pandehurit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: