Sport
Formë e shkëlqyer e ulqinakëve: Otrant-Olimpik triumfon ndaj Petrovacit dhe komandon elitën e futbollit malazez
Reklamë e Sponsorizuar
Skuadra shqiptare nga Ulqini, Otrant-Olimpik, ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive, duke konfirmuar primatin në Ligën e Parë të Malit të Zi, pas një ndeshjeje tejet dramatike që u mbyll me fitoren 3:2 kundër Petrovacit, në kuadër të xhiros së 11-të.
Filozofia e trajnerit Milija Savoviq, i cili rreth një muaj më parë deklaroi për gazetën malazeze “Vijesti” se preferon fitoret me rezultat spektakolar si 5:4 sesa mbrojtjen e rezultatit, po gjen zbatim të plotë në fushë. Ndeshjet e fundit të skuadrës dëshmojnë më së miri përkushtimin ndaj këtij stili sulmues.
Takimi nisi më mirë për vendasit, të cilët arritën të kalonin në epërsi në minutën e 11-të përmes Trimror Selimit, i cili shënoi për 1:0 me një ndihmë të fatit.
Megjithatë, reagimi i skuadrës nga Ulqini ishte i menjëhershëm dhe rezultati u përmbys qysh në fraksionin e parë të lojës. Alban Taipi vendosi ekuilibrin në minutën e 32-të duke barazuar në 1:1, ndërsa vetëm katër minuta më vonë, Filip Paviqeviq kaloi mysafirët në epërsi prej 2:1.
Ky gol i dytë rriti ndjeshëm moralin dhe besimin e skuadrës së drejtuar nga trajneri Savoviq.
Dominimi u kurorëzua në minutën e 68-të, kur kapiteni Halil Muharemoviq realizoi golin e tretë për 3:1, duke krijuar përshtypjen se triumfi tashmë ishte i sigurt për udhëtarët.
Por dramaciteti i sfidës nuk mbaroi me kaq, pasi Petrovaci refuzoi të dorëzohej. Në minutën e 72-të, Vuk Strikoviq ngushtoi shifrat në 2:3 me një goditje me kokë pas një harkimi nga këndi, duke rikthyer emocionet në fushë.
Shpresat e vendasve për të shmangur humbjen u shuan ndjeshëm në minutën e 75-të, kur Danilo Peshukiq u ndëshkua me karton të kuq direkt.
Pavarësisht përpjekjeve të fundit, Otrant-Olimpik menaxhoi me sukses avantazhin deri në vërshëllimën e fundit, duke arkëtuar tri pikë tejet të vlefshme.
Pas kësaj fitoreje, Otrant-Olimpik kryeson renditjen e kampionatit malazez me 22 pikë të tubuara, duke lënë pas në vendin e dytë skuadrën e Buduçnostit me dy pikë më pak.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: