Sport
Paraqitje fantastike, Mika Adams-Woods i Rahovecit 029 merr epitetin e MVP-së për javën e pestë
Reklamë e Sponsorizuar
Basketbollisti i Rahovecit 029, Mika Adams-Woods, është kurorëzuar si lojtari më i vlefshëm (MVP) i javës së pestë në ProCredit Superligën e Kosovës, falë paraqitjes së jashtëzakonshme që i solli skuadrës fitoren e parë këtë edicion ndaj Pejës.
Në këtë duel, Rahoveci 029 triumfoi me shifrat 106:95, duke thyer kështu serinë e katër humbjeve radhazi që kishte regjistruar në fillim të këtij kampionati.
Adams-Woods ishte shtylla kryesore e këtij suksesi, duke kontribuar me 31 pikë, gjashtë kërcime dhe 10 asistime, statistika këto që i dhanë një indeks efikasiteti prej 35.
Organizatori amerikan i lojës, i cili luan në pozitën e playmaker-it, është i gjatë 1.91 metra dhe po dëshmohet si një armë e fortë për ekipin nga Rahoveci.
Përvoja e tij përfshin periudhën në basketbollin universitar amerikan ku ka mbrojtur ngjyrat e Cincinnati Bearcats dhe St. Bonaventure Bonnies, për të kaluar më pas në Evropë te skuadra franceze SOM Boulogne dhe te MAS Fès në Marok, para se të transferohej në Kosovë.
Vlen të theksohet se kjo nuk është ndeshja e tij e parë e jashtëzakonshme këtë sezon; në xhiron e katërt kundër Sigal Prishtinës, ai realizoi 30 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime, megjithëse atë përballje Rahoveci e kishte humbur ngushtë me rezultat 94:97.
Me këto shfaqje të larta në parket, organizatori amerikan po shndërrohet në liderin e padiskutueshëm të skuadrës rahovecase në këtë fillimsezon.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: