Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Flick thur elloge për PSG-në, zbulon strategjinë e Barçës dhe jep lajmin e madh për Raphinhan

Redaksia Lajmetereja • 19-10-2026 17:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Përpara sfidës së madhe të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës, e cila do të luhet të martën në “Parc des Princes”, trajneri Hansi Flick ka dalë para mediave në konferencën zyrtare për shtyp. Gjatë prononcimit të tij, strategu gjerman ka analizuar kundërshtarin, ka thurur elloge për homologun e tij dhe ka konfirmuar gjendjen fizike të yllit brazilian, Raphinha. I pyetur rreth Luis Enriques, Flick nuk ka kursyer fjalët më të mira për kreun e stolin parisien. “Është pa dyshim një nga trajnerët më të mirë në botë. Më pëlqen jashtëzakonisht shumë mënyra se si luan skuadra e tij dhe intensiteti që përcjell në fushë. Ata shfaqin një fleksibilitet të lartë, me futbollistë që ndryshojnë vazhdimisht pozicionet. Ai e ka ngritur PSG-në në një nivel tjetër dhe e ka përmirësuar ndjeshëm. Është një ekip vërtet mbresëlënës”, u shpreh ai. Për vetë trajnerin e katalanasve, ky duel do të shërbejë si një provë madhore për të matur forcat e vërteta të skuadrës së tij. “Është një test i shkëlqyer për ne. Dëshiroj që formacioni im të tregojë guxim, të luajë me vetëbesim të plotë dhe të ruajë unitetin. Do të matemi me një nga ekipet më elitare, kampionen e dy edicioneve të fundit, dhe kjo është mundësia e artë për të dëshmuar vlerat tona. Pas kësaj ndeshjeje do të kemi një panoramë shumë më të qartë”, shtoi tekniku. Sa i përket situatës me dëmtimet dhe mungesat, veçanërisht për Gerard Martín, Flick pranoi se ka disa opsione alternative, ndërkohë që mbetet me shpresa për rikuperimin e Jules Koundé. “Kemi alternativa në dispozicion. Frenkie mund të përshtatet në atë rol, gjithashtu kemi ftuar edhe Alex Campos. Megjithatë, mbetem optimist se gjithçka do të shkojë mirë. Nuk po kalojmë momentin tonë më optimal, por duhet ta pranojmë këtë realitet. Shpresojmë shumë që Jules të jetë pjesë e nesh”, tha ai. Në vijim të deklaratës, Flick konfirmoi zyrtarisht se Raphinha është plotësisht i gatshëm dhe do ta nisë sfidën nga minuta e parë. I pyetur nëse kjo përballje do të ndryshojë nga disfata 1-2 e sezonit të shkuar, ai theksoi se Barcelona udhëton drejt Parisit me një moral dhe bindje shumë më të lartë. “Sezoni i kaluar pati vështirësitë e veta për ne. Tani kemi fituar shumë besim në zotërimin e topit dhe po prodhojmë raste të shumta shënimi. Mbetet të shohim zhvillimet në fushë. Jemi pëatitur maksimalisht dhe besoj se lojtarët ndihen të entuziazmuar që do të maten me PSG-në. E kemi të qartë identitetin tonë të lojës dhe duam ta dëshmojmë atë”, u shpreh trajneri. I pyetur se cila ndeshje ka më shumë peshë për të, ajo ndaj parisienëve apo superpërballja e ardhshme “El Clásico” kundër Real Madridit, përgjigjja e gjermanit ishte e prerë dhe koncize: “Ndeshja e nesërme”. Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth mundësisë për të regjistruar fitoren e tij të 100-të në krye të katalanasve, Flick vlerësoi lart klimën pozitive brenda klubit dhe përkushtimin e grupit gjatë javëve të fundit. “Kur nisëm këtë rrugëtim, e dinim se kishim përpara një sfidë të madhe dhe e vlerësoj pafund dashurinë që kemi marrë nga njerëzit. Megjithatë, kjo është meritë e drejtpërdrejtë e asaj çka po shfaqim në fushë. Kur fiton, të gjithë ndihen të gëzuar. Puna që lojtarët po bëjnë përgjatë kësaj periudhe është e jashtëzakonshme. Pavarësisht se disa u bashkuan me vonesë pas angazhimeve në Botëror, mënyra se si stërviten dhe bashkëpunojnë është fantastike. Atmosfera dhe cilësia e punës më bëjnë jashtëzakonisht të lumtur”, theksoi ai. Në lidhje me rreziqet e mbrojtjes me vijë të lartë, e cila i ka kushtuar Barcelonës disa gola të pësuar në ndeshjet e fundit, Flick dha sqarimet e tij teknike. “Ky është pikërisht rreziku që duhet të përballosh kur aplikon një mbrojtje të tillë. Gjithçka lidhet me reagimin tonë në momentin që humbasim topin dhe përpjekjet për ta rifituar atë. Distancat mes reparteve dhe presioni i ushtruar janë elementët kyç”, shtoi ai. Në mbyllje të konferencës, trajneri i Barcelonës nënvizoi se kontrolli i topit do të jetë faktori vendimtar që do të përcaktojë fatin e këtij superdueli të së martës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar