Politikë
Vizita e presidentit malazez në Kosovë: Pritja e pazakontë nga klerikët e Manastirit të Deçanit
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i shtetit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kosovë, mirëpo ajo që ka rënë në sy në agjendën e tij është mungesa e ndonjë pritjeje zyrtare nga ana e ekzekutivit kosovar. Në vend të zyrtarëve qeveritarë, ai është pritur nga drejtuesit fetarë të Manastirit të Deçanit.
Lajmin për këtë vizitë e ka bërë të ditur vetë presidenti malazez përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë përshtypjet e tij nga ky takim.
“Manastiri i Deçanit është një vend i shenjtë që prej shtatë shekujsh ruan pasurinë e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, duke dëshmuar rëndësinë e besimit, traditës dhe trashëgimisë historike. E falënderoj igumanin Sava dhe vëllazërinë e manastirit për pritjen e përzemërt dhe mikpritjen. Vende të tilla na kujtojnë rëndësinë e ruajtjes së vlerave shpirtërore, respektimit të historisë dhe përgjegjësisë për ta ruajtur për brezat e ardhshëm atë që kemi trashëguar. Manastiri i Deçanit mbetet një vend i paqes shpirtërore dhe i lutjes, trashëgimia e të cilit i tejkalon kufijtë e kohës dhe ruan kujtimin e shekujve që kanë formësuar historinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Në anën tjetër, institucionet e rendit kishin marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e kësaj vizite. Policia e Kosovës ishte e vetmja që kishte lëshuar një njoftim paraprak për opinionin publik, duke paralajmëruar qytetarët për bllokada të përkohshme dhe ndryshim të drejtimit të trafikut në rrugët ku do të kalonte eskorta e kreut malazez.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë–Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (ku mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative)”, thuhej në komunikatën e Policisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: