Kronikë
Goditet rrjeti i drogës në Prishtinë: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për tre persona dhe sekuestron afër 5 kilogramë kokainë
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zyrtarizuar aktakuzën pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurve A.I., B.M. dhe F.U., të cilët ngarkohen me veprat penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe mbajtjes së armëve pa leje.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2025, rreth orës 15:00, në kryeqytet. Të dyshuarit, në bashkëpunim dhe pas një organizimi të mëparshëm, dyshohet se kanë shitur pa leje një kilogram kokainë, transaksion ky që kap vlerën e 27 mijë eurove. Gjatë operacionit të kontrollit nga ana e forcave të rendit, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 4 kilogramë e 955.62 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, së bashku me pajisje të ndryshme që shërbenin për paketimin e lëndëve narkotike.
Në njoftimin e lëshuar për media bëhet e ditur se, përveç akuzave për narkotikë, dy prej të pandehurve, F.U. dhe B.M., do të përballen edhe me akuzën për armëmbajtje pa leje. Sipas prokurorisë, ata në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët, kanë mbajtur nën kontroll armë zjarri të llojit pistoletë nga një datë e pacaktuar e deri ditën e arrestimit më 22.04.2025.
Lidhur me këtë rast, PSRK i ka propozuar trupit gjykues që të urdhërojë konfiskimin e pasurive të pandehura, për të cilat tashmë është vendosur urdhër ndalues përfundimtar, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: