Presidentja i kthen përgjigje Kryesuesit Dehari: Obligoheni që seancën ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve

Publikuar më: 16-04-2025 14:57
Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve. Në këtë letër, Osmani thotë se Kushtetuta i detyron të jetësojnë e jo të bllokojnë procese. “Si pikënisje, konsideroj se duhet pasur parasysh, se duke u bazuar në frymën e Kushtetutës, dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë – dhe jo ta pengojnë – themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre”. Në këtë letër, ajo ka përmendur Aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese dhe ka bërë thirrje që seanca konstitutive ta vazhdojë jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj. “Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstitutive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si kryesues i seancës konstituive  të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar Deharit. Shpërndaje këtë lajm në:
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu