Aktuale
Thirrje nga Komuniteti Mysliman: Institucionet të dëgjojnë qytetarët, palët të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje
Reklamë e Sponsorizuar
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me zhvillimet e fundit dhe protestat në vend, duke theksuar se po i ndjek me shqetësim ngjarjet që mund të rrezikojnë paqen sociale, sigurinë publike dhe harmoninë mes qytetarëve.
Sipas këtij institucioni fetar, e drejta për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie përbën një shtyllë të rëndësishme të shoqërisë, por nga ana tjetër, ruajtja e qetësisë, respekti reciprok dhe heqja dorë nga çdo lloj dhune përbëjnë një detyrim të përbashkët për të gjithë.
Në deklaratë theksohet nevoja për reflektim, urtësi dhe përgjegjësi qytetare, për të peshuar me kujdes pasojat e çdo fjali apo veprimi. Komuniteti i bën thirrje autoriteteve shtetërore që t'i trajtojnë me seriozitet maksimal kërkesat e qytetarëve, ndërsa u kërkon të gjitha palëve të shfaqin vetëpërmbajtje dhe të shmangin gjuhën e urrejtjes apo veprimet që mund të thellojnë përçarjen.
Çdo konflikt apo mosmarrëveshje, pavarësisht natyrës së saj komplekse, duhet të marrë zgjidhje përmes tryezave të dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe zbatimit të ligjit e respektimit të institucioneve.
Në mesazhin e tij, Komuniteti Mysliman kujton se Shqipëria është vatra e përbashkët e të gjithëve. Dallimet e bindjeve apo qëndrimeve nuk duhet të shërbejnë si elementë përarës, por si një kujtesë se paqja dhe e ardhmja e përbashkët qëndrojnë mbi çdo dallim politik apo shoqëror.
Si një institucion me peshë në vend, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ripërsërit angazhimin e tij të palëkundur për paqe, mirëkuptim dhe bashkëjetesë paqësore, duke besuar se urtësia mbizotëron mbi zemërimin dhe se dialogu mbetet rruga e vetme e suksesshme.
Në mbyllje të deklaratës, ky komunitet lutet për qetësi dhe urtësi në vend, duke kërkuar që drejtuesit, qytetarët dhe aktorët shoqërorë të udhëhiqen drejt zgjidhjeve të drejta dhe paqësore.
Zoti e ruajtë Shqipërinë, i mbrojtë qytetarët e saj dhe na udhëzoftë të gjithëve drejt paqes, drejtësisë dhe së mirës së përbashkët. Amin!
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: