Aktuale
Dramë në Ligën e Parë: Ndërhyrja e VAR-it përmbys vendimin e gjyqtarit në sfidën Shkëndija e Haraçinës – Struga Trim Lum
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të javës së 10-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, përballja ndërmjet Shkëndijës së Haraçinës dhe FC Struga Trim Lum solli një moment vendimtar në minutën e 24-t, i cili kërkoi domosdoshmërisht përfshirjen e sistemit VAR.
Ngjarja u regjistrua kur sulmuesi me numrin 9 i skuadrës së Struga Trim Lum, Agamah, u ndalua në mënyrë të parregullt dhe josportive përmes tërheqjes dhe mbajtjes, pikërisht në momentin kur po tentonte të kapte një pasim nga bashkëlojtari i tij, duke krijuar një mundësi ideale për të realizuar gol.
Sikur të mos ishte ky faull i hapur, sulmuesi do të kishte arritur i pari te sfera, duke siguruar një epërsi të qartë ndaj mbrojtësit me numrin 3 të vendasve. Ky i fundit, pasi kishte humbur hapin në fazën defensive dhe nuk kishte më kontroll mbi topin, ndërhyri me të dy duart për të kapur dhe tërhequr kundërshtarin, duke i mohuar një shans të pastër shënimi.
Megjithëse shkelja ishte mjaft e dukshme në fushë, gjyqtari kryesor fillimisht nuk ndërmori asnjë veprim dhe la që loja të vijonte normalisht.
Ky lëshim nxiti reagimin e menjëhershëm të arbitrave në dhomën e VAR-it, të cilët ndërhynë me të drejtë për të sugjeruar rishikimin e pamjeve në monitorin anësor (OFR), duke vlerësuar mundësinë e akordimit të një goditjeje dënimi dhe ndëshkimin me karton të kuq të drejtpërdrejtë për shkak të mohimit të një mundësie të sigurt për gol (DOGSO).
Pas konsultimit të pamjeve përmes sistemit VAR, kryesori i ndeshjes, Vlatko Ilijoski, korrigjoi vendimin e tij fillestar duke akorduar penallti dhe duke i treguar kartonin e kuq mbrojtësit të Shkëndijës së Haraçinës.
Lidhur me këtë episod, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) theksoi se Protokolli i VAR-it u zbatua në përpikëri, ndërsa kriteret e Rregullave të Lojës për faull dhe për ndëshkimin e ndalimit të një rasti të pastër shënimi u respektuan plotësisht.
Sipas FFM-së, ky rast dëshmon edhe një herë vlerën e madhe të teknologjisë VAR si një instrument kyç për korrigjimin e gabimeve të dukshme dhe garantimin e drejtësisë në fushën e gjelbër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: