Kronikë
Bilanci i dhunës në Tiranë: Dhjetëra të lënduar mes tyre 21 efektivë policie, flakë dhe shkatërrim gjatë protestës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti është përfshirë nga tensione të larta dhe përplasje të dhunshme, të cilat kanë lënë pas dëme materiale dhe persona të lënduar. Gjatë protestës, situata ka degjeneruar në akte vandalizmi, ku flakët kanë përfshirë hyrjen e Bankës së Shqipërisë, si dhe disa automjete dhe biznese në afërsi të Gjykatës së Lartë.
Pas orëve të tëra tensionesh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, autoritetet ndërhynë për të rivendosur rendin. Efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato Operacionale u angazhuan në terren, duke përdorur autobote me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të liruar hapësirën përpara Kryeministrisë, ndërkohë që kanë nisur edhe shoqërimet e para të personave të përfshirë në incidente.
Në ikje e sipër nga zona e Kryeministrisë, grupe protestuesish kanë hedhur mjete shpërthyese, konkretisht kokteje molotov, drejt ish-hotel ‘Dajtit’, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke i vënë flakën hyrjes së institucionit.
Si pasojë e dhunës dhe përplasjeve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se nga ora 17:00 e pasdites deri në orët e vona, në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsej 21 efektivë policie dhe 13 protestues.
Sipas të dhënave zyrtare spitalore, në Spitalin e Traumës po marrin trajtim mjekësor 16 policë dhe 2 protestues të lënduar gjatë përplasjeve, ndërsa në QSUT janë paraqitur për ndihmë mjekësore një efektiv policie dhe dy protestues të tjerë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: