Aktuale
Kupa e Zvicrës nën hijen e surprizave: Baseli, Luzerni dhe Zürichi para provës më të vështirë
Reklamë e Sponsorizuar
Raundi i dytë i Kupës së Zvicrës pritet të rezervojë emocione të forta dhe mundësi reale për rezultate sensacionale. Edhe pse të gjitha ekipet e Superligës ia dolën të kalonin fazën e parë, tashmë ato do të maten me kundërshtarë që kanë treguar aftësi për t'i tronditur favoritët.
Sipas një analize të opinionit sportiv helvetik, Luzerni, Baseli dhe FC Zürich figurojnë mes skuadrave që rrezikojnë më shumë përmbysjen dhe eliminimin e parakohshëm.
Përballja ndërmjet Winterthurit dhe Luzernit vlerësohet si një nga duelet më të paparashikueshme të kësaj faze.
Vetëm pak muaj më parë, këto dy fanella luanin në elitën e futbollit zviceran. Sot, Winterthuri garon në Challenge League, ku është ngjitur në pozicionin e tretë pas një nisjeje jo të lehtë të sezonit.
Pavarësisht disfatës 3:0 nga Xamax në fundjavë, Winterthuri synuje të përdorë si armë zjarrin e tifozëve të vet dhe luhatjet e formës te Luzerni.
Një tjetër takim që po merr vëmendje të madhe është ai mes Nyonit dhe Baselit.
Baseli zbret në fushë pas humbjes së rëndë 3:0 ndaj Vaduzit, rezultat ky që ka ngritur ndjeshëm presionin mbi grupin dhe trajnerin e ri Slaviša Jokanović.
Edhe pse Nyon mbyll renditjen në Challenge League, ky klub shquhet për përvojën e tij në eliminimin e emrave të mëdhenj. Kujtojmë se edicionin e kaluar ata e nxorën jashtë Kupës FC Zürichin pas ekzekutimit të penalltive.
Për Baselin, një dështim i mundshëm do të përbënte një goditje të rëndë gjatë kësaj faze delikate.
Në impiantin Brügglifeld, Aarau do të presë FC Zürichin në një përballje tradicionale të top-futbollit zviceran.
Aarau nuk e ka nisur kampionatin sipas parashikimeve dhe aktualisht mban vendin e gjashtë në Challenge League. Megjithatë, kjo skuadër ka dëshmuar se në kompeticionin e Kupës shndërrohet në një kockë të fortë.
Sezonin e shkuar, pikërisht në këtë raund, Aarau eliminoi Young Boysin dhe tani kërkon të përsërisë të njëjtin sukses ndaj një tjetër gjiganti.
Edhe kampioni aktual zviceran, Thun, do të ketë një mision të ndërlikuar në udhëtim kundër Schaffhausenit.
Thun ka regjistruar katër humbje në pesë ndeshjet e fundit kampionale, ndërsa lëvizjet e trajnerit për t'i hequr shiritin e kapitenit dy lojtarëve kanë nxitur debate të brendshme në klub.
Schaffhauseni, me synimin e qartë për t'u rikthim në Challenge League, do të kërkojë ta shfrytëzojë këtë klimë jo të qetë.
Në anën tjetër, Rapperswil-Jona do të presë St. Gallenin në një derbi rajonal. Vitin e kaluar, St. Galleni pati punë të vështira dhe e eliminoi këtë rival vetëm nëpërmjet penalltive, para se të triumfonte përfundimisht në Kupën e Zvicrës.
Ndërkaq, Cham do të masë forcat me Sionin. Ekipi nga kantoni i Zugut bëri bujë sezonin e kaluar duke mposhtur Luganon me shifrat 3:2, çka dëshmon se di të garojë me sukses përballë klubeve elitare.
Sa i përket pretendentëve të tjerë, Young Boys do të udhëtojë drejt Tichinos për t'u përballur me AC Taverne, skuadër e udhëhequr në fushë nga mesfushori me përvojë Jonathan Sabbatini.
Lugano, që po kalon një ecuri tejet pozitive në kampionat, vlerësohet si favorit absolut në letër përballë Pully Football.
Grasshoppers do të kryqëzojë armët me Grenchenin, kurse Servette do të përballet me Rotkreuzin, një kundërshtar që në raundin e parë eliminoi Bellinzonën me rezultatin e pastër 4:1.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: