Aktuale
Sukses historik në QKUK: Konfirmohen shtatzënitë e para përmes IVF-së dhe mijëra konsulta për infertilitet
Reklamë e Sponsorizuar
Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar rezultate inkurajuese që nga nisja e ofrimit të shërbimit të ri të fertilizimit të asistuar (IVF), duke konfirmuar deri më tani tetë raste shtatzënie, ku dy prej tyre janë verifikuar vetëm gjatë ditës së sotme.
Drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj, ka theksuar se arritjet e deritanishme i kanë tejkaluar pritshmëritë, duke dëshmuar efikasitetin dhe mbarëvajtjen e këtij projekti të rëndësishëm shëndetësor.
“Deri tani janë tetë raste të shtatzënive të konfirmuara me IVF në klinikën tonë. Është sukses shumë i madh dhe dëshmi se IVF-ja si shërbim po ecën shumë mirë dhe po ka sukses. Duke pasur parasysh se është shërbim i ri, suksesi i rasteve është përtej pritshmërive”, ka deklaruar Ndrejaj.
Sipas drejtorit, procesi i konsultave dhe kontrollet mjekësore për çiftet me sfida të infertilitetit zhvillohen në baza javore. Kohëzgjatja deri në nisjen e procedurës së IVF-së përcaktohet nga gjendja specifike shëndetësore e çdo çifti, ku për disa pacientë ndërhyrja mund të nisë shpejt, ndërsa të tjerë kërkojnë përgatitje dhe trajtim paraprak prej disa javësh.
Statistikat tregojnë një interesim dhe kërkesë të jashtëzakonshme, pasi deri më sot mbi 2,600 pacientë janë paraqitur për konsulta mjekësore lidhur me problemet e infertilitetit në këtë klinikë.
“Mbi 2,600 pacientë kanë qenë në konsulta, të cilët kanë probleme me infertilitetin. Kërkesat janë të mëdha, mirëpo jo të gjithë i nënshtrohen procedurës së IVF-së. Disa kanë nevojë për trajtim kirurgjik, si për shembull prania në organet e brendshme gjenitale e ndonjë tumori apo mase tjetër patologjike, ku kërkohet largimi kirurgjik i tyre. Këto raste zgjasin pak më shumë deri te fillimi i procedurave të IVF-së”, ka theksuar Ndrejaj, duke shtuar se sfidat shëndetësore ndryshojnë nga rasti në rast dhe kërkojnë qasje të personalizuar trajtimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: