Sport
Rey Manaj zbardh prapaskenat e penalltisë dhe flet për ndryshimet nën drejtimin e Maranit
Reklamë e Sponsorizuar
Sulmuesi Rey Manaj ka shprehur kënaqësinë e tij pas triumfit të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë. “Kuqezinjtë” siguruan një fitore të pastër 2-0, duke dominuar lojën nga fillimi deri në fund dhe duke arkëtuar tri pikë mjaft të rëndësishme.
Në një prononcim për “Supersport”, Manaj vuri në dukje ndryshimet taktike që ka sjellë trajneri Maran krahasuar me paraardhësin e tij, Sylvinho, duke theksuar se ekipi po punon për t'u përshtatur me kërkesat e reja. Ai shprehu ambicien e skuadrës për të vazhduar me fitore në tri ndeshjet e radhës, me synimin për të kryesuar grupin.
“Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë dhe krijuam mjaft raste në të dytën. Duhet të ambientohemi me skemat e reja të Maranit, të cilat ndryshojnë nga ato të Sylvinhos. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ecuri fituese dhe të mbyllim grupin në vendin e parë. Gjithashtu, sa më shumë lojtarë të jenë në formë, aq më e madhe bëhet konkurrenca, gjë që na ndihmon të shënojmë më shumë gola”, deklaroi sulmuesi.
Manaj sqaroi gjithashtu momentin e penalltisë, ku u vu re një bashkëbisedim i shkurtër me Kristjan Asllanin përpara se ky i fundit të realizonte nga pika e bardhë. “Asllani është i pari në listën e ekzekutuesve, ndërsa unë i dyti. I thashë që do e merrja unë topin vetëm që ai të qëndronte i qetë dhe të përqendrohej te goditja, pastaj ia kalova topin atij”, shpjegoi Manaj.
Kujtojmë se pas këtij suksesi, përfaqësuesja e Shqipërisë do të kthehet sërish në fushë pas tri ditësh, ku do të përballet me San Marinon në sfidën e radhës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: