KQZ-ja nuk e regjistron partinë “Kosovski Savez”

Publikuar më: 08-05-2025 13:47
Komisioni Qendror Zgjedhor të enjten nuk e ka regjistruar partinë e re, Lidhja Kosovare  (Kosovski Savez) e drejtuar nga Goran Marinkoviq. Pesë vota ishin për dhe katër abstenime. Kësisoj u refuzua rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e partive politike për regjistrimin e kësaj partie të re. Më parë, anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, bëri vërejtje te pjesa e programit politik të Lidhjes Kosovare se Kosovës nuk i referohet me emrin kushtetues Republika e Kosovës “Kosova nuk është term gjeografik, por është shtet”, ka thënë Krasniqi. KQZ-ja hoqi nga rendi i ditës pezullimin e partisë politike Kosova Adalet Türk Partisi, për shkak se nuk e kishte dorëzuar brenda afatit ligjor, deri më 28 prill 2025, raportin e deklarimit financiar të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Siç u tha në mbledhje, pas këtij afati kjo parti ka dorëzuar raportin për deklarimin financiar të fushatës zgjedhore dhe rrjedhimisht kanë pushuar arsyet për pezullimin e saj. Ndaj këtij subjekti politik, për shkak të mosdorëzimit të raportit financiar të fushatës brenda afatit ligjor, më 2 maj 2025, Zyra ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurove. /EO
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu