Kronikë
Incidentet e 13 tetorit në Tiranë, dalin para gjykatës 19 protestuesit: Ja masat e sigurisë dhe akuzat e rënda
Reklamë e Sponsorizuar
Janë njohur këtë të premte me masat e sigurisë 19 protestuesit e arrestuar pas tubimit të zhvilluar më 13 tetor në kryeqytet. Seanca gjyqësore ka nisur në orën 08:30, ndërsa për shkak të hapësirave të kufizuara në sallë, procesi është zhvilluar në grupe të ndara.
Trupa gjykuese drejtohet nga gjyqtarja Amarilda Sulaj. Për të garantuar rendin dhe për të parandaluar çdo tension të mundshëm, jashtë godinës së gjykatës janë pozicionuar forca të shtuara policore, të pajisura me mjete mbrojtëse si skafandra dhe maska gazi. Deri në këto momente, situata jashtë ambienteve të gjykatës paraqitet e qetë dhe pa incidente.
Në përfundim të shqyrtimit paraprak, gjykata ka vendosur masa të ndryshme shtrënguese për të pandehurit, mes të cilave gjashtë persona janë lënë në “arrest shtëpie”, dhjetë të tjerë me “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për një person është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur zyrtarisht.
Të arrestuarit akuzohen për ngjarjet e dhunshme të shënuara gjatë protestës së 13 tetorit në Tiranë, ku pati sulme ndaj institucioneve si Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës, dëmtime të pronave private, bizneseve dhe bankomateve, djegie të koshave të mbeturinave, si dhe përplasje fizike me efektivët e policisë.
Conrektisht, ndaj të dyshuarve rëndojnë gjithsej tetë vepra penale, konkretisht: “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Përveç personave të ndaluar, autoritetet po procedojnë në gjendje të lirë edhe 49 qytetarë të tjerë, ndërsa si pasojë e përleshjeve gjatë protestës gjashtë efektivë policie mbetën të lënduar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: