Ekonomi
Kontrata e dyshimtë e Podujevës për pelet: 520 euro për ton me negocim, ndërsa Rahoveci siguron çmim më të lirë me tender të hapur
Reklamë e Sponsorizuar
Komuna e Podujevës, e cila drejtohet nga Shpejtim Bulliqi, ka lidhur një kontratë me vlerë prej 312 mijë eurosh për furnizim me pelet, duke përdorur procedurën e negociuar dhe duke shmangur kështu garën ndërmjet operatorëve ekonomikë. Kompania fituese është “DnA Core L.L.C.”, e cila sipas të dhënave zyrtare në ARBK është në pronësi të Aridon Sylejmanit, ndërsa është regjistruar më 5 mars 2025 në Kamenicë. Për më tepër, në një fotografi të siguruar, pronari i kësaj kompanie shihet duke marrë pjesë në një aktivitet me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë.
Kjo marrëveshje, e nënshkruar më 6 tetor 2026, tejkalon për rreth 60 mijë euro vlerën e parashikuar në dosjen e tenderit, e cila ishte llogaritur në 252 mijë euro, duke shënuar një rritje prej afërsisht 23,8 për qind mbi buxhetin e paraparë fillestar. Dokumentacioni tregon se bëhet fjalë për blerjen e 600 tonëve pelet, ku çmimi i kontraktuar është 440,68 euro pa TVSH, respektivisht 520 euro për ton me TVSH të përfshirë.
Në procesin e nënshkrimit të kësaj kontrate figurojnë emrat e kryetarit Shpejtim Bulliqi, ushtruesit të detyrës së menaxherit të prokurimit, Driton Kiçmari, si dhe të përfaqësuesit të kompanisë, Aridon Sylejmani. Kjo shifër dalë e lartë bëhet edhe më e ndjeshme nëse krahasohet me një rast të ngjashëm në Komunën e Rahovecit, e cila vetëm dy ditë më vonë ka siguruar furnizim përmes një tenderi të hapur.
Konkretisht, Komuna e Rahovecit përzgjodhi operatorin ekonomik N.P.T. “Haris” për blerjen e 350 tonëve pelet në vlerë prej 140 mijë eurosh, ku çmimi për një ton ka dalë të jetë 400 euro. Kështu, pavarësisht se Podujeva ka blerë sasi më të madhe, ajo ka paguar 120 euro më shtrenjtë për çdo ton, apo 30 për qind më shumë krahasuar me Rahovecin.
Llogaritjet matematikore tregojnë se diferenca prej 120 eurosh për ton në sasinë prej 600 tonësh kap shumën e përgjithshme prej 72 mijë eurosh. Nëse Podujeva do të siguronte të njëjtën sasi me çmimin prej 400 eurosh për ton, fatura totale për këtë furnizim do të ishte vetëm 240 mijë euro.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: