Aktuale
Mbrëmje solidarizimi për Onkologjinë: Prani e nivelit të lartë shtetëror në mbështetje të grave
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të Muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kinematografia, biznesi dhe institucionet janë bashkuar në një ngjarje të veçantë humanitare. “Cineplexx”, në bashkëpunim me “Womens secret” dhe “Medical Park”, organizuan një mbrëmje bamirësie përmes shfaqjes së filmit “Dua”, ku fondet e mbledhura do t’i dedikohen plotësisht repartit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Menaxheri i marketingut në “Cineplexx”, Fidan Jupolli, theksoi se ky aktivitet ka për qëllim forcimin e ndërgjegjësimit shoqëror rreth kësaj sëmundjeje dhe dhënien e një ndihme konkrete për personat që po marrin trajtim mjekësor atje. “Në kuadër të muajit tetor për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, së bashku me filmin “Dua” kemi mbajtur këtë mbrëmje dhe të gjitha të ardhurat të kësaj mbrëmjeje do t’i dhurojmë në QKUK pranë Klinikës së Onkologjisë. Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit vlen shumë. Jemi të nderuar që kemi pasur presidenten Justina, por edhe presidenten Atifete Jahjaga”, u shpreh Jupolli.
Regjisorja e filmit, Blerta Basholli, ndau me të pranishmit ndjenjat e saj për këtë përzgjedhje, duke e cilësuar si një privilegj të veçantë për një kauzë kaq fisnike. Duke qenë se ajo vetë bën pjesë në grupin e rrezikut, Basholli bëri thirrje të fortë për kujdes të shtuar dhe parandalim të hershëm. “Është nder e veçantë që është zgjedhur filmi ynë sonte për një kauzë kaq të rëndësishme. Unë për vete jam në grupin e rrezikut, një e kemi humbur fatkeqësisht. Është me rëndësi sonte dhe çdoherë të ngrehim vetëdijesimin se sa e rëndësishme është të bëhen kontrollet. Unë kontrollohem çdo gjashtë muaj, por i rekomandoj secilës që të kontrollohet me kohë. Falënderoj presidenten Justina dhe Jahjaga që janë sonte me ne”, u shpreh ajo.
Nga ana e saj, doktoresha Edona Sopaj vuri në pah domosdoshmërinë e kontrolleve mjekësore periodike dhe tejkalimin e paragjykimeve rreth kësaj teme, duke bërë thirrje që kontrolli të mos shikohet si diçka e largët apo e frikshme. “Kanceri i gjirit nuk është një temë tabu, është një problem që hasim çdo ditë dhe ekzaminimi është një gjë shumë e thjeshtë. Duhet 10 minuta për të parë patologjinë e gjirit. Metodat janë ultrazëri dhe mamografia. Mbi moshën 40 vjeçare përdoret ultrazëri. Ajo që duhet të themi sonte është se ndërgjegjësimi dhe parandalimi është arma më e fuqishme”, deklaroi Sopaj.
Kjo mbrëmje solidarizimi mori një peshë edhe më të madhe institucionale falë pjesëmarrjes së presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, dhe ish-presidentes Atifete Jahjaga, të cilat u rreshtuan krah kësaj nisme për të mbështetur gratë dhe luftën kundër kësaj sëmundjeje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: