Aktuale
Zgjimi me gojë të thatë: Pse nuk bëhet fjalë vetëm për etje?
Reklamë e Sponsorizuar
Shumë prej nesh e nisin ditën duke kërkuar menjëherë një gotë ujë për shkak të ndjesisë së pakëndshme të gojës së thatë pas zgjimit. Ndonëse dehidratimi është një shkaktar i mundshëm, shpesh kjo gjendje fsheh arsye të tjera, të cilat variojnë nga mënyra e frymëmarrjes gjatë natës e deri te efektet anësore të medikamenteve që konsumojmë.
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Britaninë e Madhe, dehidratimi ndodh si pasojë e marrjes së pamjaftueshme të lëngjeve, djersitjes së tepërt ose gjendjeve shëndetësore. Megjithatë, kjo nuk është e vetmja arsye, e as më e shpeshta për tharjen e gojës në mëngjes.
Një nga shkaktarët kryesorë është frymëmarrja me gojë gjatë gjumit, e cila shfaqet kur hunda është e bllokuar ose kur personi fle me gojë hapur. Në raste të tilla, ekspertët sugjerojnë konsultimin me një farmacist për përdorimin e dekongjestantëve të përshtatshëm.
Ndërkaq, një gojë e thatë ose dhimbja e fytit pas gjumit mund të jenë sinjale të apnesë obstruktive të gjumit. Klinika Mayo sqaron se kjo gjendje shoqërohet shpesh me gërhitje të fortë, ndërprerje të frymëmarrjes, ndjesi mbytjeje, dhimbje koke në mëngjes dhe lodhje gjatë ditës. Megjithatë, gërhitja nuk është gjithmonë tregues i sigurt i apnesë.
Tharja e gojës mund të jetë gjithashtu një pasojë e padëshiruar e ilaçeve të caktuara, prandaj është e këshillueshme të lexoni fletëudhëzimet e medikamenteve. Megjithatë, asnjë trajtim nuk duhet ndërprerë pa u këshilluar më parë me mjekun. Faktorë të tjerë ndikues përfshijnë ankthin, infeksionet fungale (kandidiaza orale) dhe terapitë ndaj kancerit, si radioterapia apo kimioterapia. Nëse ky problem bëhet kronik, ai mund të jetë i lidhur edhe me gjendje si diabeti ose sindroma e Sjogren.
Për të zbutur këtë shqetësim, rekomandohet pirja e rregullt e ujit, mbajtja e një gote pranë shtratit, përtypja e çamçakëzëve ose karameleve pa sheqer, si dhe mbajtja e higjienës orale me shpëlarës pa alkool. Gjithashtu, duhet të shmangen pijet me kafeinë, alkooli, pijet e gazuara, si dhe ushqimet shumë të kripura, të ëmbla apo pikante. Rekomandohet gjithashtu lënia e duhanit dhe heqja e protezave dentare gjatë gjumit.
Vizita te mjeku bëhet e domosdoshme nëse goja e thatë ndikon në të ngrënë apo të folur, ose nëse simptomat vazhdojnë për javë të tëra përkundër masave të ndërmarra. Një kontroll mjekësor kërkohet gjithashtu në rast se vëreni fryrje, skuqje, gjakrrjedhje, shfaqje të depozitave të bardha, çrregullime të vazhdueshme të shijes, ose nëse keni simptoma shtesë si urinim i shpeshtë dhe tharje e syve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: