Politikë
Kriza në Shqipëri, shtypi austriak: Protestat studentore bëhen të dhunshme, kërkohet largimi i kryeministrit Rama
Reklamë e Sponsorizuar
Tiranë – Për të dytën ditë me radhë, kryeqyteti shqiptar është përfshirë nga përleshje të ashpra mes forcave të rendit dhe qytetarëve, në kuadër të protestave antiqeveritare dhe për kushte më të favorshme në arsimin e lartë. Të mërkurën, qindra qytetarë dhe studentë marshuan nëpër rrugët e Tiranës drejt selisë së kryeministrit Edi Rama dhe dy dikastereve qeveritare, duke lëshuar thirrje të forta për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.
Gjatë tubimit, situata ka degjeneruar kur pjesëmarrësit ngritën barrikada të improvizuara, duke hedhur gurë dhe lëndë djegëse drejt trupave policore, të cilat u kundërpërgjigjën duke përdorur gaz lotsjellës dhe mjete ujëhedhëse. Sipas gazetarëve të agjencisë AFP, protestuesit i vunë flakën Ministrisë së Arsimit, pasi dy prej tyre u ngjitën në muret e jashtme për të hedhur mjete piroteknike brenda godinës, nga dritaret e së cilës u pa të ngrihej tym i dendur, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë shpejt për shuarjen e flakëve.
Shënjestër e pakënaqësisë u bë edhe Ministria e Financave, ku turma theu dyert hyrëse dhe depërtoi për pak çaste brenda ambjenteve, përpara se të sprapset nga policia dhe të drejtohet sërish drejt zyrave kryeministrore. Gjatë trazirave, në një degë banke u thyen xhamat dhe u dogjën dokumente, ndërsa një ndërtesë tjetër, e cila dyshohet të ketë qenë e pabanuar, u përfshi gjithashtu nga flakët.
Këto zhvillime pasojnë protestën e së martës, ku qindra persona u mblodhën para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar largimin e Ramës, ndërkohë që u sulmua edhe ndërtesa e Bashkisë së Tiranës, duke i vënë flakën asaj dhe duke shkaktuar dëme materiale në objekte të tjera. Policia raportoi se rreth dhjetë persona janë vënë në pranga, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se gjashtë efektivë police, tetë demonstrues, tre gazetarë dhe dy kalimtarë kërkuan ndihmë mjekësore. Autoritetet e rendit theksuan se efektivët e tyre janë ballafaquar me një “dhunë të vazhdueshme” nga individë të maskuar të armatosur me gurë, fishekzjarre dhe kokteje Molotov.
Trazirat e fundit në Shqipëri kanë nisur që prej fundit të muajit maj, të nxitura fillimisht nga një projekt për ndërtimin e një hoteli luksoz në një rezervat natyror bregdetar. Ky projekt, i lidhur me emrin e Ivanka Trump – vajzës së ish-presidentit amerikan Donald Trump – dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner, ka ndezur reagime të forta kundër dyshimeve për korrupsion dhe mungesë transparence. Krahas kësaj, studentët vazhdojnë të ngrenë shqetësimet e tyre lidhur me tarifat e larta të shkollimit dhe gjendjen e rënduar në universitete.
Ngjarjet kanë vënë në lëvizje edhe ndërkombëtarët; Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur shqetësimin e thellë për “përshkallëzimin e dhunshëm”, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve nga të gjitha palët. Zyra e BE-së kërkoi gjithashtu nisjen e menjëhershme të hetimeve lidhur me pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës policore ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Kjo situatë vjen në një kohë kur Shqipëria, si vend kandidat, sapo ka mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull negociatash në fillim të javës.
Në procesin drejt integrimit evropian, Tirana synon anëtarësimin deri në vitin 2030, duke u renditur si favoritja e dytë në Ballkanin Perëndimor, menjëherë pas Malit të Zi i cili ka si objektiv vitin 2028 (“28 me 28”). Së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë – vende që fituan statusin e kandidatit në vitin 2022 pas nisjes së agresionit rus – këto shtete përfaqësojnë grupin e kandidatëve më të avancuar drejt anëtarësimit të plotë. Vende të tjera të rajonit që synojnë gjithashtu familjen evropiane mbeten Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: