Sport
Goditje e rëndë për Hoffenheimin: Albian Hajdari pëson sërish lëndim dhe jashtë fushave për disa javë
Reklamë e Sponsorizuar
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, ka pësuar një tjetër goditje në aspektin fizik, pasi është dëmtuar në shputën e këmbës gjatë seancës stërvitore me skuadrën e Hoffenheimit, duke bërë që të mbetet jashtë fushave të gjelbra për disa javë me radhë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi nga Bundesliga, i cili ka bërë të ditur se qendërmbrojtësi ka dëmtuar fascien plantare në stërvitjen e mbajtur një ditë më parë, teksa skuadra po përgatitej për sfidën e Ligës së Evropës kundër Besiktasit.
"Albian Hajdari ka pësuar një lëndim të fascies plantare gjatë stërvitjes së djeshme dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme gjatë javëve në vijim", thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Hoffenheimi në rrjetet sociale.
Ky zhvillim përbën një situatë tejet të pafavorshme për futbollistin, i cili sapo ishte bashkuar sërish me grupin, pas një dëmtimi tjetër që kishte marrë gjatë angazhimit me Përfaqësuesen e Kosovës në Ligën e Kombeve, në ndeshjen kundër Irlandës.
Akoma pa u rikuperuar plotësisht në atë periudhë, ai kishte humbur takimin ndaj Austrisë dhe ishte kthyer në Gjermani para se të kompletoheshin angazhimet e radhës të dardanëve, pasi ishte bërë e qartë se nuk do të mund të luante as kundër Izraelit dhe as ndaj Austrisë.
Hajdari po luan sezonin e tij të dytë me fanellën e Hoffenheimit, pasi u transferua verën e kaluar nga radhët e Luganos për shifrën e pesë milionë eurove. Që prej asaj kohe, paraqitjet e tij kanë bërë që vlera në treg të ngrihet ndjeshëm, duke kapur shifrën e 25 milionë eurove.
Vlen të theksohet se në radhët e Hoffenheimit, përveç Hajdarit, aktivizohen edhe dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm të Kombëtares së Kosovës, respektivisht Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: