Politikë
Mbështetje për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Qeveria formon Grupin e Punës
Reklamë e Sponsorizuar
Ekzekutivi i Kosovës ka marrë vendim për themelimin e një grupi të posaçëm punues, i cili do të merret me fazën e Apelit në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kjo strukturë do të drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
“Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë duhet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë, dhe Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, me përfaqësim institucionale dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë shtoi se ky hap është një konkretizim i zotimeve institucionale për të ofruar ndihmën e nevojshme brenda mundësive shtetërore, me qëllim garantimin e drejtësisë dhe ruajtjen e pastërtisë së luftës çlirimtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: