Kronikë
Trazirat para Ministrisë së Arsimit: Publikohen emrat e 16 të arrestuarve dhe detajet e dhunës
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet policore kanë finalizuar procedurat zyrtare lidhur me identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë në incidentet e dhunshme të ndodhura gjatë protestës së një dite më parë në rrugën e Durrësit, në afërsi të Ministrisë së Arsimit. Si rezultat i veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është bërë arrestimi në flagrancë i 16 shtetasve, ndërsa janë nisur procedimet penale edhe për 49 persona të tjerë.
Tubimi, i cili nisi rreth orës 14:00 të datës 13.10.2026, u karakterizua nga tensione të larta dhe akte të shfrenuara vandalizmi. Sipas bluve, grupe protestuesish të maskuar kanë sulmuar që në nisje të protestës forcat e rendit, duke hedhur në drejtim të tyre gurë, pllaka guri, kapsolla, si dhe kokteje molotovi. Përveç forcave të sigurisë, shënjestër e dhunës u bënë edhe institucionet shtetërore, subjektet private dhe mjediset publike.
Gjatë përplasjeve, protestuesit dëmtuan rëndë muret, dritaret dhe kangjellat rrethuese të godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe infrastrukturën urbane duke përfshirë trotuaret, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore. Vandalizmi u shtri edhe në objekte të tjera, ku u shkatërruan dhe u dogjën orendi brenda një institucioni mikrofinanciar, u dëmtua fasada e xhamit e një banke të nivelit të dytë, ndërsa në rrugën “Ded Gjon Luli” u thye dera e hyrjes së Bashkisë së Tiranës dhe u i u vu zjarri katit të parë të këtij institucioni.
Për shkak të dhunës së ushtruar vazhdimisht përmes hedhjes së mjeteve të rrezikshme dhe lëndëve plasëse e djegëse, gjashtë punonjës të Policisë së Shtetit kanë pësuar dëmtime fizike gjatë kryerjes së detyrës.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, uniformat blu vunë në pranga shtetasit: Kastriot Vata, Florian Baba, Ali Bruçi, Genc Ibrahimi, Ernest Kapo, Iljaz Sulaj, Besnik Kala, Donik Vatgjoni, Erand Zenunllari, Hamza Bushi, Olsi Vokli, Xhesion Petoku, Klevi Metaj, Berim Gjoka, Kalosh Hysbarjami dhe Korado Aliaj.
Të arrestuarit akuzohen për një sërë veprash penale, duke përfshirë “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Përveç tyre, 49 shtetas të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë penalisht.
Grupi i posaçëm hetimor, në koordinim të ngushtë me organin e akuzës, vijon intensivisht hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm që morën pjesë në aktet e dhunës dhe shkatërrimit gjatë tubimit të datës 13.10.2026, ndërsa materialet e plota i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: