Sport
Lidhje e re me Bullgarinë: Lëviz projekti i rrugës së shpejtë nga Radovishi në Novo Sellë
Reklamë e Sponsorizuar
Infrastruktura rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë pritet të pasurohet me një korridor të ri modern, i cili do të lidhë Radovishin me zonën kufitare përmes Strumicës dhe Novo Sellës.
Ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, ka bërë të ditur se tashmë është hapur faza e thirrjes publike për përzgjedhjen e operatorit që do të hartojë dokumentacionin teknik dhe studimet e fizibilitetit. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar deri më 8 tetor, me synimin kryesor krijimin e një arterie të re qarkullimi drejt shtetit fqinj.
"Synimi ynë është të ndërtohet një rrugë e shpejtë që do të kalojë nga Radovishi përmes Strumicës, deri në Novo Sellë – kufirin me Bullgarinë, dhe në këtë mënyrë të kemi një lidhje tjetër, përmes autostradës ose rrugës së shpejtë, me Republikën e Bullgarisë", u shpreh Nikolloski.
Sipas parashikimeve, përgatitja e dosjes projektuese dhe analizave përkatëse pritet të marrë nga gjashtë deri në nëntë muaj, periudhë pas së cilës do të përcaktohet kontraktori për nisjen e punimeve. Investimi do të mbështetet financiarisht nga fondet e brendshme të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Nëse dinamika e procedurave respektohet, autoritetet synojnë që makineritë të zbarkojnë në terren brenda stinës së vjeshtës.
“Ajo që dua të them është se do të përdorim mjete vetanake nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore. Ndërmarrja është në gjendje të mirë financiare, ka të hyra të mira dhe do të mund ta ndërtojmë këtë projekt. Le të mos jetë premtim, por nëse gjithçka shkon mirë dhe kemi procedurë të mirë për përzgjedhjen, fillimisht të kompanisë konsulente e më pas të kompanisë ndërtuese, pres që deri në vjeshtë të fillojmë punimet ndërtimore në terren”, deklaroi ministri.
Në fund, ai ka garantuar se aksi i ri nuk do të ndalet në Strumicë, por do të shtrihet deri në pikën kufitare me Bullgarinë, duke përmbyllur kështu një lidhje të rëndësishme rajonale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: