Politikë
Dështon Komisioni për Buxhet: Debat i ashpër dhe përplasje mes deputetëve për paketën prej 55 milionë eurosh
Reklamë e Sponsorizuar
Mbledhja e Komisionit për Buxhet është anuluar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë pati përplasje të forta ndërmjet ligjvënësve rreth modaliteteve të prezantimit të projektligjit jetik për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Tensioni dhe mospajtimet shpërthyen menjëherë pas kërkesës që ky projektligj të arsyetohej nga zëvendësministri, në mungesë të ministrit të linjës, situatë kjo që solli akuza të ndërsjella ndërmjet përfaqësuesve të pozitës dhe atyre të opozitës.
Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, u shpreh kundër shqyrtimit të kësaj pike në mungesë të ministrit, duke insistuar se praktika e deritanishme duhet të respektohet rigorozisht.
“Ne kemi pasur praktikë që të kemi vetëm ministrin, nuk është mirë që të ndryshojmë këtë. Përderisa nuk kemi përfaqësues nga ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës”, tha Lushtaku.
Në krahun tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, kërkoi që projektligji të mund të prezantohet nga zëvendësministri apo sekretari i ministrisë, duke i dhënë theks peshës së madhe financiare që mbart ky dokument.
“Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë edhe në legjislaturën e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Duke pasur parasysh ligjin, unë ju ftoj kolegë deputetë që të votojmë mundësinë që zëvendësministri, sekretari, të jetë prezent dhe ta prezantojë ligjin”, u shpreh Nagavci.
Ndërkohë, deputetja Teuta Haxhiu nga radhët e Aleancës ngriti shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si po draftohen dhe miratohen aktet ligjore, duke e akuzuar Kuvendin se po përsërit gabimet procedurale që shkaktojnë rrëzimin e ligjeve nga Gjykata Kushtetuese.
“Në praktikën e Kuvendit jo shumë ligje kanë rënë nga Gjykata Kushtetuese, po vijmë prapë në pikën se asnjëherë nuk keni bërë ligje si duhet. Po vijmë në një situatë ku shpejt e shpejt po bëhen ligje që pastaj po dërgohen në Kushtetuese. Rruga më e shkurtër shkon te Gjykata Kushtetuese dhe tregon se ju jeni shkelës të mëdhenj të Kushtetutës”, deklaroi Haxhiu.
Kryetari i komisionit, Enver Haliti nga Vetëvendosje, hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se problematikat e ngritura kanë të bëjnë ekskluzivisht me afatet kohore mes leximeve.
“Janë për shkak të afatit që mes dy leximeve nuk kanë qenë 72 orë”, u arsyetua Haliti.
Edhe kolegu i tij nga e njëjta parti, Valon Hoti, mbështeti këtë qëndrim, duke theksuar se bëhet fjalë për tejkalim afatesh e jo për shkelje të përmbajtjes kushtetuese të ligjeve.
“Asnjë nga ligjet nuk ka qenë antikushtetues, ka qenë për shkak të kohës së shkurtër që deputetët t’i lexojnë ato ligje. Tjetër gjë është shkelje, tjetër gjë është tejkalim i procedurës”, theksoi Hoti.
Debati mori një kthesë edhe më të ashpër kur u kalua në fyerje dhe akuza personale mes deputeteve Teuta Haxhiu dhe Arbërie Nagavci.
“Arbërie Nagavci është shkelëse e Kushtetutës, jeni shkelës numër një të Kushtetutës”, u shpreh Haxhiu.
Përballë këtyre akuzave, Nagavci bëri me dije se ka ndërmarrë hapa konkretë juridikë ndaj Haxhiut dhe se pret vendimin e drejtësisë.
“Unë kam bërë padi për të, nuk do të më ndalë, pres që gjykata ta shqyrtojë rastin, tendenca e saj për shpifje do të evidentohet”, u përgjigj Nagavci.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: