Aktuale
Synimi i madh i kuqezubeve ndaj Uellsit, Grima: Të besojmë te mrekullia deri në sekondën e fundit
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Shqipërisë për femra ka përmbyllur mbrëmjen e së hënës përgatitjet e fundit në prag të përballjes vendimtare kundër Uellsit.
Skuadra kuqezi do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 20:15, në stadiumin “Parc y Scarlets”. Kjo sfidë e kthimit vjen në kuadër të raundit hapës të “Play-off”-it për Kupën e Botës 2027, ku vajzat tona synojnë të bëjnë kthesën e madhe.
Në një deklaratë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri Armir Grima ka shprehur besimin e palëkundur se ekipi i tij mund të përsërisë paraqitjen cilësuar të treguar në ndeshjen e zhvilluar në Shkodër. Tekniku ka vënë theksin te menaxhimi i duhur i ritmit gjatë 90 minutave dhe te besimi i pashmangshëm deri në fund. Madje, ai nuk e ka fshehur ambicien për të arritur një rezultat historik që do të sillte një ndryshim rrënjësor për të ardhmen e futbollit të femrave në vendin tonë.
“Futbolli i tillë është, aty ku nuk e pret, ta kthen. Aty ku ti nuk e mendon, nuk ta kthen. Ne shpresojmë shumë që të përsërisim atë ndeshje të mirë që bëmë në Shkodër. Është detyrë e jona, është detyrë e vajzave që ta përsërisim atë ndeshje dhe pse mos të shpresojmë. Gjithçka arrihet në futboll,” u shpreh fillimisht trajneri.
Duke u ndalur te situata e grupit, ai shtoi: “Jemi mësuar të luajmë me mungesa. Po mos të kemi mungesa, duhet të themi se çfarë ka ndodhur. Por e rëndësishme është që vajzat të jenë të freskëta fizikisht, kemi punuar që të jenë të çlodhura fizikisht dhe të jemi gati për ndeshjen.”
Në mbyllje të prononcimit të tij, kreu i stafit teknik kuqezi bëri thirrje për përqendrim maksimal: “Ajo që është shumë e rëndësishme është që ne ta menaxhojmë ndeshjen mirë dhe të shpresojmë deri në fund në një mrekulli, që do të ishte mrekulli për ne, për futbollin e vajzave në Shqipëri dhe për çdo gjë.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: