Kronikë
Skandali i korrupsionit në Spitalin e Vushtrrisë: Nis gjykimi për dy kirurgët dhe nëntë qytetarë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Mitrovicë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar për sot mbajtjen e seancës fillestare ndaj dy kirurgëve të Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, të cilët poballafaqohen me dyshimet për korrupsion dhe marrje ryshfeti.
Krahas dy bluzave të bardha, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë zyrtare edhe kundër nëntë personave të tjerë. Këta të fundit dyshohet se kanë stimuluar korrupsionin duke u dhënë para mjekëve në këmbim të ndërhyrjeve kirurgjikale për anëtarët e familjeve të tyre.
Sipas dokumentit të prokurorisë, mjeku Valdet Rexhepi dyshohet se është përfshirë në gjashtë raste të marrjes së ryshfetit, ndërsa kolegu i tij Ekrem Sefiu dyshohet për tri raste të ngjashme, ku përmes kërkesës dhe pranimit të të hollave kanë kushtëzuar shërbimet mjekësore ndaj pacientëve.
Në anën tjetër, nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se u kanë ofruar mjekëve shuma monetare që variojnë nga 50 deri në 300 euro – qoftë në mënyrë direkte apo indirekte – si kundërshpërblim për kryerjen e operacioneve të afërmve të tyre.
Pas daljes në dritë të këtij rasti, menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë ka ndërmarrë masa disiplinore duke i pezulluar nga puna dy mjekët e akuzuar, vendim ky që do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organet e drejtësisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: