Politikë
Hapi i radhës drejt BE-së: Rama në Luksemburg për mbylljen e një tjetër kapitulli kyç
Reklamë e Sponsorizuar
Procesi i integrimit europian të vendit shënon një tjetër zhvillim domethënës. Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Luksemburg, ku po mbahet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ngjarje në kuadër të së cilës pritet zyrtarisht mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, që i kushtohet ndërmarrjeve dhe politikave industriale.
Përmbyllja e këtij kapitulli e çon në katër numrin e fushave të mbyllura përkohësisht nga ana e Shqipërisë, duke dëshmuar ritmin e qëndrueshëm të ecurisë drejt objektivit madhor për përmbylljen e plotë të bisedimeve për anëtarësim brenda afatit të vitit 2027.
Fusha e Kapitullit 20 përfshin aspekte vitale për ekonominë e vendit, si zhvillimi i sipërmarrjeve, orientimi i politikave industriale, mekanizmat mbështetës për bizneset, nxitja e inovacioni dhe forcimi i konkurrueshmërisë në treg.
Sipas agjendës zyrtare, aktiviteti nisi në orën 16:40 me lëvizjen drejt Qendrës Europiane të Konventave.
Më pas, në orën 16:50, u realizua fotografia zyrtare e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrit Thomas Byrne.
Në orën 17:00 u dha sinjali për nisjen zyrtare të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila u shoqërua edhe me miratimin e rendit të ditës.
Ndërkohë, në orën 17:45 është parashikuar përmbyllja e këtij takimi të rëndësishëm, e cila do të pasohet nga konferenca e përbashkët për shtyp ku do të paraqiten konkluzionet nga Kryeministri Edi Rama, Komisionerja Marta Kos dhe ministri irlandez, Thomas Byrne.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: