Ekonomi
Nis zbatimi i sistemit “Safe City” në katër qytete: Gjobat shkojnë deri në 500 euro për shkelësit e trafikut
Reklamë e Sponsorizuar
Pas një periudhe paralajmërimesh, rrjeti i kamerave të sigurisë “Safe City” ka nisur zyrtarisht punën në Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, duke monitoruar dhe regjistruar çdo kundërvajtje në trafik. Gjobat për shoferët e papërgjegjshëm variojnë nga 15 deri në 500 euro, në varësi të peshës së shkeljes së bërë.
Reagimet e qytetarëve janë pozitive, ndërsa shumë prej tyre kërkojnë shtrirjen e këtij sistemi në më shumë pika kyçe. “Mendoj se nëse ndëshkohen, kjo do të sjellë vërtet rend, nëse jo do jetë vështirë. Tani ndjehet sot, meqenëse është dita e parë që ka kamera, ata ngasin ngadalë. Dhe aty ku ka kryqëzime, duhet të ketë kamera, sepse nuk do të thotë asgjë nëse atje ka shpejtësi të ulët, e këtu është me 80. Nëse ka në më shumë lokacione, do të jetë më mirë si për këmbësorët ashtu edhe për makinat”, u shpreh një banor i zonës.
Vetëm në segmentin afër Novo Sellos, pjesë e autostradës Ohër-Kërçovë që vazhdon të jetë në fazë ndërtimi, janë regjistruar afërsisht dhjetë shkelje brenda një dite, kryesisht për shkak të mosrespektimit të shpejtësisë së lejuar.
“Kemi regjistruar aksidente të shumta trafiku – disa me pasoja fatale dhe të tjera që kanë rezultuar në lëndime të rënda trupore. Si rrjedhojë, qëllimi i të gjitha analizave ishte ndërmarrja e masave në këto zona përmes instalimit të një rrjeti kamerash fikse, të cilat do të ndihmonin në eliminimin e kësaj dukurie të aksidenteve të shpeshta në trafik”, deklaroi Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB Ohër.
Nëpërmjet platformës “Safe City”, autoritetet do të kenë mundësinë të zbulojnë dhe ndëshkojnë automjetet që kapërcejnë kufijtë e shpejtësisë, kalojnë semaforët me dritë të kuqe, parkojnë gabimisht apo qarkullojnë me dokumente regjistrimi të skaduara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: