Kronikë
Kërcënimi i OVL-UÇK-së: Protesta masive nëse shpërfillet ligji i ri për Gjykatën Speciale
Reklamë e Sponsorizuar
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të komisioneres Marta Kos, e cila ka kundërshtuar ndryshimet ligjore që lidhen me Gjykatën Speciale.
Në reagimin zyrtar, kjo organizatë ka theksuar se zyrtarja evropiane do të bënte më mirë të shqetësohej për padrejtësitë e vazhdueshme që po ndodhin në Hagë, në vend që të komentojë vendimet sovrane të Kuvendit të Kosovës.
OVL-UÇK i ka bërë thirrje komisioneres Marta Kos që të fokusohet te trajtimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë këtij procesi gjyqësor – shkelje të cilat janë dokumentuar edhe nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit (BHRC) – duke kërkuar që këto shqetësime të mos anashkalohen nga Brukseli.
Gjithashtu, organizata kujton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, përmes vendimit KSC-CC-2022 (paragrafi 83), ka njohur zyrtarisht të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit, një hap ky që tashmë është ndërmarrë nga legjislativi kosovar.
Veteranët kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre se ky ligj duhet të zbatohet në të terë. Sipas tyre, nëse nuk nis zbatimi i plotë i tij pas hyrjes në fuqi, qytetarët dhe veteranët do t'i rikthehen protestave masive para zyrave të institucioneve të Bashkimit Evropian në vend.
Në fund, OVL-UÇK ka përsëritur se Kuvendi mbetet institucioni më i lartë sovran dhe përfaqësues i vullnetit qytetar, ndaj çdo lloj presioni apo ndërhyrjeje në ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve është plotësisht e papranueshme, duke i kërkuar komisioneres Kos që të angazhohet për drejtësi të paanshme në vend që t'u diktojë ligjvënësve se si të veprojnë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: