Sport
Skandal në ambientet e RTV Dukagjini: Edonisa Aliu akuzon Liridon Lecin për dhunë fizike dhe fyerje pas emisionit
Reklamë e Sponsorizuar
Edonisa Aliu ka denoncuar publikisht se është bërë pjesë e një sulmi fizik dhe kërcënimesh të rënda nga panelisti Liridon Leci, menjëherë pas mbylljes së transmetimit të emisionit “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini.
Incidenti i rëndë, sipas dëshmisë së saj, ka ndodhur mbrëmjen e së dielës brenda hapësirave të studios televizive në Shkabaj, ku një diskutim i mëparshëm verbal u përshkallëzua papritur në dhunë të hapur fizike.
“Pasi kemi dalë prej aty, më tha se ti je kurvë, prostitutë, shitesh këtej e andej, nënën e ke kurvë, familje kurvash; pastaj më kapri për fyti dhe më qëlloi në fytyrë me grusht apo me duar, diçka e tillë”, ka treguar ajo, duke shprehur tronditjen e thellë emocionale nga kjo ngjarje e papranueshme.
Ajo ka shtuar se është e paimagjinueshme që dikush të hyjë në një studio televizive për të folur rreth sportit dhe pasionit të tij, e të përfundojë duke u larguar e dhunuar, e frikësuar dhe e lënduar.
Duke theksuar se aktet e tilla nuk duhet të kalojnë në heshtje apo të normalizohen, Aliu ka bërë të ditur se një prononcim më të detajuar do ta bëjë publik në rrjetin social Facebook sapo të ndihet e gatshme për ta bërë një gjë të tillë.
“Një gjë dua ta them shumë qartë: dhuna nuk guxon të arsyetohet, nuk guxon të normalizohet dhe nuk guxon të heshtet”, ka përfunduar ajo.
Sipas informacioneve lidhur me rastin, Aliu e ka paraqitur zyrtarisht rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar se Leci e ka sulmuar fizikisht pas përfundimit të emisionit në ambientet e televizionit.
Pas ngjarjes, ajo ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërkohë që Liridon Leci ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke i hedhur poshtë pretendimet për sulm.
Kujtojmë se drejtoresha sportive e klubit të futbollit të femrave Gramshi në Shqipëri, pak ditë më parë, kishte zhvilluar një intervistë ku kishte ndarë detaje nga rruga e saj profesionale dhe ajo personale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: