Politikë
A i shpëtoi kryeministri Kurti vendit nga një skenar i rrezikshëm grushtshteti?
Reklamë e Sponsorizuar
Protestat përbëjnë një të drejtë fondamentale në demokraci për të pasqyruar pakënaqësitë dhe kërkesat e drejta, njësoj si tubimet e organizuara për 21 ditë nga koalicioni PAN dhe OVL-UÇK, së bashku me strukturat e tyre mbështetëse «Liria ka emër» dhe «Jo në emrin tim». Qëllimi i tyre ishte shprehja e kundërshtimit ndaj vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj H. Thaçit, K. Veselit, J. Krasniqit dhe R. Selimit.
Megjithatë, protestat e paralajmëruara si paqësore degraduan në dhunë, ku përgjegjësia kryesore u takon ideatorëve dhe organizatorëve, përkatësisht politikanëve nga radhët e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe OVL-UÇK-së, të mbështetur nga media mercenare. Me deklaratat dhe veprimet e tyre të papërgjegjshme, ata nxitën zjarrin e përleshjeve të pajustifikuara. Të nxitur nga udhëzimet e eprorëve të tyre, veprimet agresive të disa «veteranëve» ngjanin më shumë me sjellje huliganësh sesa me një protestë paqësore për drejtësi dhe mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.
Këtyre tubimeve u prinin partitë më të diskredituara të skenës politike, të njohura si milionerët e pasluftës, bashkë me deputetët që votuan Gjykatën Speciale dhe që paraprakisht kishin bllokuar institucionet shtetërore për dy vite rresht. Përmes keqpërdorimit dhe instrumentalizimit të UÇK-së dhe OVL-UÇK-së, të cilat i shndërruan në degë partiake, koalicioni PAN jo vetëm që manipuloi ndjenjat e qytetarëve dhe fatin e të dënuarve në Hagë, por gjithashtu thelloi polarizimin dhe nxiti urrejtje në shoqërinë kosovare, vetëm për të siguruar përfitime politike.
Edhe pse nisën si reagim ndaj aktgjykimit në fjalë, këto kauza humbën kuptimin shumë shpejt, pasi kërkesat morën ngjyrim politik, duke kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, zonjës Gërvalla, rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe të tjera. Situata u përshkallëzua me hedhjen e koktejeve molotov në ambientet e EULEX-it, fishekzjarrëve drejt Qeverisë, Kuvendit dhe forcave të rendit, si dhe me sulme ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kur kësaj i shtohen thyerja e dritareve të institucioneve nga protestues të maskuar, paratë e shpërndara me thasë, përleshjet e brendshme mes veteranëve, si dhe prania e personave të armatosur të zbuluar nga Policia e Kosovës – ku gjatë një pyetjeje nga gazetarët në oborrin e Kuvendit një protestues u përgjigj se ata veprojnë vetëm sipas urdhrave të shefave – dëshmohet qartë natyra e vërtetë e protestave.
Duke analizuar këto zhvillime të drejtuara nga lart, lind pyetja legjitime nëse aktgjykimi i Hagës shërbeu vetëm si pretekst për një grushtshtet të organizuar nga PAN dhe OVL-UÇK kundër Qeverisë Kurti, me synim përmbysjen e rendit kushtetues dhe destabilizimin e vendit.
Sipas vlerësimeve, vetëm falë maturisë dhe insistimit të vazhdueshëm të kryeministrit Kurti për të zgjidhur krizën e krijuar qëllimisht nga PAN dhe OVL-UÇK rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit, u shmang një gjakderdhje e përgatitur nga strukturat kriminale. Këtë e konfirmoi indirekt edhe vetë Nasim Haradinaj, i cili në një intervistë televizive menjëherë pas protestave pranoi se një skenar i tillë kishte ekzistuar.
Në këtë mjedis tejet të tensionuar, një kontribut kyç dha edhe Policia e Kosovës, e cila ruajti qetësinë dhe profesionalizmin pavarësisht provokimeve dhe sulmeve të vazhdueshme nga ana e protestuesve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: