Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Udhëtim mes shkencës dhe identitetit: Vepra e re e Prend Ndojës që ndërthur misteret e jetës me rrënjët shqiptare

Redaksia Lajmetereja • 11-10-2026 16:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Udhëtim mes shkencës dhe identitetit: Vepra e re e Prend Ndojës që ndërthur misteret e jetës me rrënjët shqiptare
Krijimtaria letrare e autorit Prend Ndoja, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjen e pasqyruar përmes librit më të ri “Mes shkencës dhe dritës”. Ky roman strukturohet në dy linja narrative që ndërthuren ngushtë me njëra-tjetrën, duke sjellë para lexuesit ide të thella dhe një qasje interesante rrëfimi. Pasioni si ndjenjë dhe ndriçimi shpirtëror si mision i dy kryepersonazheve, Markut dhe Maries, ndërthuten në mënyrë harmonike për të ndërtuar imazhin e një dashurie të pastër mes dy botërave, ku përkatësia etnike ruhet me krenari si një pjesë e pandashme e identitetit. Përmes kthesave të papritura, dramave njerëzore dhe një ndjenje dashurie me tone puritane, vepra shërben si një leksion i vyer moral për rëndësinë e qenies njerëzore dhe lidhjen e pashkëputur me origjinën. Autori ndërthur mjeshtërisht emocionin e dashurisë me misionin e ruajtjes së traditave, duke nxjerrë në pah profilin e dalluar intelektual të Markut dhe Maries, të dy të emigruar në Amerikë. Maria, një vajzë nga Shkodra e cila u shpërngul në “tokën e ëndrrave” që në fëmijëri, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si gazetare dhe publiciste. Nga ana tjetër, Marku vjen nga Kosova dhe, pas përfundimit të studimeve, është shndërruar në një personalitet të shquar në fushën e shkencës si profesor universitar i astrofizikës, por edhe në fushën e letërsisë. Këto dy profile të larta intelektuale e ngrenë perceptimin e botës në nivele të larta dijeje, ku dialogu mes tyre shfaqet si një kërkim i vazhdueshëm shkencor, por edhe si një vetërrëfim intim. Në universin e tyre, atdheu mbetet një vlerë e shenjtë, të cilit i rikthehen jo vetëm në rrafshin shpirtëror, por edhe fizikisht, duke kurorëzuar lidhjen e tyre me një dasmë tradicionale shqiptare. Ky rrugëtim është vetëm një pjesë e jetës së tyre, pasi përmes kësaj dashurie ata përpiqen të depërtojnë në misteret e ekzistencës dhe pyetjet që sfidojnë mendjen njerëzore. Marku dhe Maria mishërojnë prototipin e njeriut kërkues, i cili e pasuron jetën me përvoja, ide dhe reflektime të reja. Edhe në çastet më të vështira, kur fati duket i pashmangshëm dhe jeta humbet kuptimin, në horizont shfaqen sinjale shprese dhe një vullnet i ri për të ecur para. Drita shfaqet si simbol i frymëzimit dhe shpresës që kalon kufijtë e dijes njerëzore, duke dëshmuar se jeta rilind përmes dashurisë dhe mëshirës drejt përjetësisë. Për dy personazhet, jeta ndjek një trajektore të mistershme, ku vuajtja dhe të papriturat shërbejnë si një mundësi drejt qetësisë shpirtërore. Përmes kthimeve në të kaluarën e largët të origjinës, autorit i jepet hapësira të pasqyrojë faqet e historisë kombëtare, duke i dhënë veprës një dimension të rëndësishëm njohës dhe dëshmues për lexuesin e huaj, krahas vlerave ideo-estetike. Romani “Mes shkencës dhe dritës” dëshmon pjekurinë e lartë artistike të autorit Prend Ndoja. Me një stil modern rrëfimi dhe si një autoideografi e vërtetë letrare, kjo vepër synon t'i përcjellë lexuesit anglishtfolës copëza të historisë, kulturës dhe etnografisë shqiptare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar