Kronikë
Tragjedia në Livoç të Gjilanit: Gjykata vendos masën e paraburgimit për Valon Ramushin
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për t'i caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Valon Ramushi, i cili po dyshohet nga organet e drejtësisë për kryerjen e dy veprave të rënda penale: “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, ngjarja tronditëse ka ndodhur më 09.10.2026, rreth orës 14:21, në fshatin Livoç i Ultë. Për shkak të mosmarrëveshjeve me motive ende të panjohura, i pandehuri V. R. fillimisht ishte nisur së bashku me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N. B., drejt fshatit Pozheran në Komunën e Vitisë, te familja e saj, por janë kthyer menjëherë mbrapsht drejt Gjilanit. Ndërkohë, të dëmtuarit M. B. dhe R. B., së bashku me tani të ndjerin E. B. (vëllai i bashkëshortes), janë vënë pas tyre me një automjet tip “Pikap Opel Combo” me targa 239-HM për të biseduar. Në hyrje të fshatit Livoç i Ultë ata e kanë tejkaluar të pandehurin dhe janë ndalur për ta pritur, ndërsa ky i fundit, duke lëvizur me veturën e tij “Tiguan” e zezë me targa 06-767-HK, ka vazhduar rrugën drejt Gjilanit. Gjatë kësaj kohe, teksa ishte duke vozitur, ai ka shtënë me armë zjarri të llojit “Beretta” me numër serik PX321722 nga distancë e afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, e cila ndodhej e ulur në ulësen e parë të pasagjerit në anën e djathtë, duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas, i dyshuari është kthyer përmes një rruge tjetër në hyrje të Livoçit dhe e ka ndaluar automjetin e tij pas atij të viktimave. Pasi personat e tjerë kanë dalë nga vetura, i pandehuri ka dalë i armatosur duke iu drejtuar me fjalët: “Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”, dhe menjëherë ka shtënë në drejtim të tyre. Ndërsa i dëmtuari R. B. ka arritur të ikë dhe M. B. është plagosur, ky i fundit ka shpëtuar duke u strehuar në oborrin e një shtëpie. Mirëpo, tani i ndjeri E. B. nuk ka mundur t'i shpëtojë sulmit dhe është qëlluar për vdekje në vendin e ngjarjes pas të shtënave të njëpasnjëshme. Pas kësaj, i pandehuri e ka vendosur trupin e pajetë të bashkëshortes së tij N. B. në veturën e tij “Tiguan”, e ka dërguar në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit para emergjencës, duke e lënë atë atje, ndërsa vetë është dorëzuar në stacionin policor.
Bazuar në këto rrethana, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë bazat ligjore se i pandehuri ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, të sanksionuara me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka theksuar se caktimi i paraburgimit është masë e domosdoshme, pasi çdo masë tjetër alternative do të rezultonte e pamjaftueshme për garantimin e zhvillimit të rregullt dhe me sukses të procedurës penale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: