Albin Kurti i dërgon sërish letër Lumir Abdixhikut: I gatshëm për marrëveshje politike me LDK-në, por jo me PDK-në
Publikuar më: 05-05-2025 09:15
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër në dy faqe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, duke i ofruar mundësinë për një marrëveshje politike dhe ndërtim të përbashkët të institucioneve të reja. Në këtë letër, Kurti e përjashton qartazi çdo mundësi për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), transmeton portali DrenicaOnline.
“Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë?”, shkruan Kurti, duke theksuar se Vetëvendosje nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në dhe se zgjedhjet e reja nuk do të sjellin ndryshim të madh.
Në letrën e tij, Kurti ngre pyetjen se pse të mos ulen që tani për të bërë marrëveshje, në vend që të shkojnë sërish në zgjedhje dhe të detyrohen të kthehen te një opsion që e duan tashmë të dyja palët: një koalicion mes LVV dhe LDK-së.
“Më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe diskutojmë këto si politikanë të pjekur që kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo tjetër”, përfundon Kurti në letrën e tij.
Letra vjen në një moment të tensionuar politik, ku vendi ndodhet përballë sfidës së formimit të institucioneve të reja. Kurti me këtë qasje po kërkon një zgjidhje politike përmes bashkëpunimit me LDK-në, duke lënë jashtë çdo opsion tjetër për koalicion./DrenicaOnline/
Shpërndaje këtë lajm në: