Politikë
Reforma në drejtësi: Projektligji për Byronë e Pasurisë kalon në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i është përcjellë për shqyrtim Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si shtyllë kyçe të reformave në sistemin e drejtësisë.
Gërvalla ka bërë të ditur se ky dokument ka kaluar nëpër një proces të gjatë fazash të hartimit dhe rishikimit, duke përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias, shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese, si dhe ciklet e konsultimeve publike ku janë përfshirë edhe sugjerimet e shoqërisë civile.
“Një lajm po ashtu jashtëzakonisht i mirë është që po dërgojmë në Kuvend edhe ligjin për Byronë. Që nga mandati i kaluar ky ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është dërguar edhe një herë në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik ku janë marrë parasysh në masë mjaft të madhe edhe komentet e shoqërisë civile”, ka deklaruar Gërvalla.
Sipas saj, iniciativa për këtë mekanizëm daton që nga viti 2020, si pjesë e angazhimeve për forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit.
“Qëllimi ka qenë që Kosovës t’i jepet një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ekziston një mospërputhje e konsiderueshme ndërmjet pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme, por kur mekanizmat ekzistues të ndjekjes penale nuk janë të mjaftueshëm për të mundësuar konfiskimin e kësaj pasurie”, onënvizuar ministrja.
Gjatë procesit të hartimit, ajo theksoi se është kushtuar kujdes i veçantë për të ruajtur ekuilibrin mes interesit publik dhe mbrojtjes së të drejtave fundamentale individuale.
“Që nga fillimi kemi qenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një mekanizëm të ri dhe të ndjeshëm, i cili duhet të vendosë balancën e duhur ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale. Pikërisht ruajtja e kësaj balance ka qenë një prej parimeve kryesore që e ka udhëhequr hartimin e këtij projektligji”, u shpreh ajo.
Ministrja Gërvalla ka sqaruar gjithashtu se Byroja nuk do të ketë autoritet ekzekutiv për konfiskimin e pasurisë, pasi kjo kompetencë i takon ekskluzivisht gjykatës përmes një procedure civile.
“Ky ligj nuk më krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës, me standarde të përcaktuara të provës dhe me të drejtë ankese. Byroja ka rol përgatitor dhe analitik. Ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat dhe kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore e paraqet çështjen para gjykatës. Byroja vetë nuk merr vendim për konfiskim. Vendimin përfundimtar, përfundimtar për konfiskimin e pasurisë e merr ekskluzivisht gjykata”, shtoi ajo.
Në fund, Gërvalla theksoi se qytetarët e vendit e presin me padurim këtë ligj, pasi Kosova nuk mund të tolerojë që pasuria e pajustifikueshme dhe korrupsioni të kthehen në normë shoqërore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: