Sport
Portieri i Teutës shkëlqen pas triumfit ndaj Skënderbeut: Te Tetova gjeta një stil loje që më mahniti
Reklamë e Sponsorizuar
Teuta ka triumfuar me rezultatin e pastër 2-0 përballë Skënderbeut, në takimin e vlefshëm për javën e gjashtë të Abissnet Superiores, duke regjistruar një paraqitje bindëse në shtëpi.
Pas përfundimit të kësaj sfide, protagonist dhe i shpallur si "Lojtari i Ndeshjes", portieri i skuadrës durrsake, Bernandoni, ka ndarë përshtypjet e tij për paraqitjen e ekipit dhe përshtatjen e shpejtë në futbollin shqiptar.
"Si ndihesh në Shqipëri? Ndihem shumë mirë, jam shumë i lumtur që vij këtu në Shqipëri. Jemi shumë të shokuar pozitivisht unë dhe familja ime," u shpreh fillimisht gardiani i portës së Teutës.
Duke folur për punën e deritanishme dhe teknikun e skuadrës, ai theksoi: "E mora me kënaqësi, e ndjej çdo ditë në stërvitje. Trajneri Edlir Tetova ka një futboll të bukur. Shoh diçka të re këtu."
I pyetur për kontributin e tij personal në fushën e lojës, Bernandoni u shpreh se fokusi i tij i vetëm është ndihma ndaj ekipit: "Dua thjesht të ndihmoj skuadrën në maksimum. Ky është futbolli dhe kur fiton je i lumtur dhe duam të vazhdojmë kështu."
Në rrëfimin e tij, portieri zbuloi gjithashtu arsyet pse pranoi ofertën e durrsakëve, duke vlerësuar seriozitetin e klubit: "Nuk e kisha parë më parë kampionatin shqiptar, por kur më mori Teuta më pëlqeu mënyra se si më kërkuan. Si më respektuan. Dakord, më duan për cilësitë e mia, por fillimisht flisni për cilësitë e mia njerëzore. Dhe për mua kjo është e rëndësishme kur firmosa këtu."
Duke vlerësuar potencialin e grupit dhe atmosferën në skuadër, ai shtoi: "Unë e pëlqej të luaj këtu. Sinqerisht kemi lojtarë të mirë. Kemi shumë lojtarë të mirë dhe duhet të vazhdojmë të fitojmë."
Në fund, gardiani i huaj tregoi me humor edhe fjalët e para që ka mësuar në gjuhën shqipe: "Fjalë shqip që keni mësuar? Faleminderit, Po, Jo. Përpiqemi të kuptojmë njëri-tjetrin dhe kemi përkthyes të mirë në klub."
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: