Sport
Barazimi ndaj Elbasanit, trajneri Arjan Bellai: Ja si e ndërtuam strategjinë për të mos dalë duarbosh
Reklamë e Sponsorizuar
Në sfidën e vlefshme për javën e gjashtë të “Abissnet Superiore”, e cila u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, Vora dhe Elbasani janë ndarë në barazimin 1-1. Pas përfundimit të këtij takimi, tekniku i skuadrës vorake, Arjan Bellai, ka analizuar paraqitjen e skuadrës së tij.
“Ne erdhëm të përgatitur për këtë ndeshje, pavarësisht se kishim dy mungesa thelbësore. Nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve. Ishte një përballje ku të dyja palët patën rastet e tyre dhe besoj se aty do të vendoset fituesi. I kishim marrë masat tona dhe te rasti i golit, mund të shënonte Elbasani, por mund të shënonim edhe ne. Jam i kënaqur me djemtë. Duhet të ruajmë shpirtin e garës dhe të mos mërzitemi për rastet e humbura. Për ne rëndësi ka që të sigurojmë pikët dhe të shfaqim këtë dëshirë në fushë”, u shpreh fillimisht ai.
I pyetur nëse skuadra kishte hyrë në fushë me qëllimin për të menaxhuar lojën në pjesën e dytë dhe për të kërkuar barazimin, Bellai u përgjigj: “Ne erdhëm në Elbasan me synimin për të mos humbur. Besoj se ishte një përgatitje e mirë. Mbyllëm Bruno Lulajn, i cili bëri disa pasime vertikale. Kishim dhënë udhëzime të qarta te Pedro që të bllokonte vertikalizimet. E arritëm qëllimin që kishim dëshiruar”.
Megjithatë, trajneri pranoi se kishte hapësira për përmirësim: “Kishte mundësi që të bënim më mirë. Ishim disi në panik, duhet të tregohemi të qetë dhe të shprehim lojën tonë. Duhet t'i kishim shfrytëzuar mundësitë me Karricën dhe Halabakun”.
Në lidhje me pyetjen se çfarë i mungon skuadrës për të pasur vazhdimësi, nëse bëhet fjalë për përqendrim apo kualitet, Bellai theksoi: “Është thjesht çështje karakteri, djemtë i kanë aftësitë për të luajtur futboll. Ndikon edhe pak mosha dhe vendosja e skuadrës në fushë. Gjithçka ndodhi fiks siç e kishim përgatitur. Ne punojmë në këtë drejtim, si dhe në anën psikologjike. Ankthi i pikëve nuk po na lejon të qetësohemi”.
Kjo pikë e marrë në transfertë shërben si një hap pozitiv për Vorën, e cila vijon rrugëtimin e saj në elitën e futbollit shqiptar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: