Ekonomi
Trump kërkon ndryshimin e udhëheqjes në Ukrainë: Zelensky duhet të lërë rrugën për një marrëveshje paqeje
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka ndërmarrë një ofensivë verbale ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke kërkuar zëvendësimin e tij në krye të shtetit dhe ndalimin e menjëhershëm të sulmeve të Kievit kundër infrastrukturës së naftës në Rusi.
Këto deklarata të forta u bënë nga zyra presidenciale amerikane, vetëm 24 orë pasi u bë publike marrëveshja e arritur me Moskën për rikthimin e naftës ruse në tregun global dhe pezullimin e përkohshëm të sanksioneve të Uashingtonit për këtë sektor.
“Unë sugjeroj që ata të kenë një udhëheqës të ri që mund të bëjë një marrëveshje”, u shpreh Trump, duke iu drejtuar drejtpërdrejt figurës së Zelensky-t.
Sipas presidentit amerikan, udhëheqësi ukrainas ka pasur mundësi të shumta në të kaluarën për t'i dhënë fund konfliktit me Federatën Ruse, por ka dështuar në arritjen e këtij qëllimi.
“Për ndonjë arsye, ai nuk e bën kurrë”, theksoi ai, duke këmbëngulur se skena politike në Ukrainë ka nevojë urgjente për një president të ri.
Gjatë prononcimit për mediat, Trump kërkoi me ton të ashpër që autoritetet ukrainase të ndalin ofensivat ndaj rafinerive ruse.
“Më mirë të ndalet, dreqi ta marrë”, deklaroi ai para gazetarëve të pranishëm.
Megjithëse vlerësoi se pala ukrainas është e lirë të ndërmarrë hapat e saj, ai theksoi se vijimi i sulmeve ndaj rafinerive të naftës është i papranueshëm.
Në fjalën e tij, lideri amerikan përsëriti bindjen se konflikti i armatosur në Ukrainë nuk do të kishte shpërthyer nëse ai do të drejtonte Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2022.
“Kjo luftë nuk duhej të kishte filluar kurrë. Nuk kishte asnjë arsye që kjo luftë të fillonte midis Ukrainës dhe Rusisë. Ajo filloi për shkak të paaftësisë”, u shpreh ai.
Duke sjellë në vëmendje pasojat shkatërrimtare të luftës, humbjet e territorit dhe bilancin e viktimave, Trump riafirmoi domosdoshmërinë e një drejtimi të ri për Kievin.
“Keni humbur 30% të vendit tuaj dhe mbi dy milionë njerëz janë vrarë gjithsej nga të dyja palët”, u shpreh ai.
“Është një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë. Dhe besoj se është koha që Ukraina të ketë një president të ri”, përfundoi presidenti amerikan.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: