Politikë
Konjufca alarmon: Kërcënimet e Daçiqit për Prizrenin dhe liria e Radoiçiqit dëshmojnë aspiratat e errëta të Serbisë
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka lëshuar një reagim të ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të udhëheqësve serbë, duke theksuar se ato dëshmojnë qartë se synimet pushtuese të Beogradit ndaj shtetit të Kosovës mbeten ende aktive.
Në reagimin e tij, kryediplomati kosovar ka veçuar deklaratën skandaloze të Ivica Daçiqit, i cili gjatë një fushate zgjedhore në Serbi u shpreh se shenjat e shtetit serb "herët a vonë do të valëviten mbi Prizren". Sipas Konjufcës, kjo gjuhë agresive dëshmon se planet territoriale të Serbisë nuk i përkasin aspak të kaluarës.
Po ashtu, ai ka tërhequr vëmendjen edhe te paraqitja skandaloze e Milan Radoiçiqit, i cili vazhdon të lëvizë i lirë. Radoiçiq u pa në një tubim partiak të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kragujevc, ku ishte i pranishëm edhe djali i këtij të fundit, Danilo Vuçiq.
Sipas shefit të diplomacisë së Kosovës, Beogradi nuk mund të shitet si palë paqësore apo e interesuar për integrim evropian, për sa kohë krerët e saj sulmojnë hapur sovranitetin e Kosovës, kurse arkitekti i sulmit terrorist në Banjskë shijon lirinë krah familjes presidenciale në vend që të përballet me ligjin.
Në fund, Konjufca i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë pa hezitim ndaj këtyre zhvillimeve, duke nënvizuar se as sovraniteti i Kosovës dhe as drejtësia për agresionin në Banjskë nuk mund të jenë kurrë subjekt i pazareve apo negocimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: