Aktuale
Nderime të larta ushtarake në Skënderaj: FSK-ja përcjell në banesën e fundit zyrtarin e lartë Ali Ngucati
Reklamë e Sponsorizuar
Me ceremoni solemne ushtarake është përcjellë sot për në banesën e fundit zyrtari i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ali Ngucati, në fshatin e tij të lindjes, Polac të Skënderajt.
Homazhet nderuese janë organizuar në Shtëpinë e Kulturës në Skënderaj, ku të mbledhur për të bërë homazhe ishin familjarë, miq, kolegë të FSK-së, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë. Gjatë akademisë përkujtimore që pasoi, u evokua vepra, angazhimi dhe sakrifica e tij në periudhën e luftës çlirimtare, si dhe puna e palodhur në ngritjen dhe konsolidimin e strukturave të sigurisë në vend pas përfundimit të saj.
Në emër të komandantit dhe të gjithë trupës së FSK-së, fjalën e rastit e mbajti zëvendëskomandanti, gjeneralmajor Enver Cikaqi. Ai i transmetoi ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve, duke evokuar përkushtimin e pashoq të Ali Ngucatit në shërbim të Republikës.
Të ftuar të tjerë që morën fjalën në këtë akademi ishin edhe nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faik Fazliu, si dhe e bija e të ndjerit, Alisa Ngucati, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për rrugëtimin e tij patriotik e institucional.
I ndjeri Ali Ngucati ka qenë pjesë e rëndësishme e Brigadës 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda Zonës Operative të Drenicës. Me mbarimin e luftës, ai vazhdoi angazhimin e tij në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ndërsa deri në ditët e fundit të jetës së tij mbajti detyrën e zyrtarit të lartë civil pranë Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.
Ali Ngucati la pas babanë, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, djalin dhe vajzën, të cilët i edukoi me vlera të larta morale dhe me ndjenjë të thellë atdhedashurie.
Kujtimi dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Ali Ngucatit do të mbeten përgjithmonë të gjalla në memorien e të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin dhe të bashkëpunonin me të.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: