Sport
Rrëfimi rrëqethës i Andres Iniestës: Si u zhytem në errësirë dhe pse kërkova ndihmë për të mbijetuar
Reklamë e Sponsorizuar
Andres Iniesta kishte arritur majat e suksesit: numëronte trofe të panumërta, gëzonte një njohje të gjerë ndërkombëtare dhe kishte shënuar golin më të rëndësishëm në historinë e kombëtares së Spanjës.
Megjithatë, në aspektin emocional, bota e tij po shembej nga brenda. Në një rrëfim të sinqertë për mediumin spanjoll „Onda Cero“, ish-mesfushori legjendar i Barcelonës ka folur hapur për betejat e tij me shëndetin mendor, duke sjellë në vëmendje momente tejet të dhimbshme.
"Kërkova ndihmë sepse ndjeva sikur do të vdisja. Nuk ishte një vendim i marrë duke kuptuar se çfarë po i ndodhte. Ishte një domosdoshmëri për mbijetesë, jo sepse e dija se çfarë po ndodhte me mua", u shpreh Iniesta gjatë intervistës.
Trajjektorja drejt kësaj periudhe të errët nisi më 8 gusht 2009, kur ndërroi jetë tragjikisht Daniel Jarque, kapiteni i Espanyol dhe një nga miqtë e tij më të ngushtë. Ky lajm tronditës e la atë pa fjalë dhe shënoi fillimin e një faze tejet të vështirë.
"Kur ma thanë, ngriva në vend. Kalova disa ditë të tmerrshme, sepse Dani kishte qenë shoku im për një kohë të gjatë. Që nga ai moment, gjithçka mori një spirale... Gjithçka u bë shumë e errët", kujtoi ai me emocione.
Kësaj goditjeje të rëndë iu shtuan edhe problemet e vazhdueshme muskulore, si dhe presioni i lartë i konkurrencës që e kishte shoqëruar që nga ditët e tij të para në akademinë famëmadhe „La Masia“. Si rezultat, ai u ndodh përballë një zbrazësie shpirtërore që as lavdia e trofeve nuk arrinte ta mbushte.
"Erdhi një moment kur u ndjeva bosh. Në atë kohë ishte shumë më tepër një tabu, megjithëse për mua personalisht, si në kohët e mira ashtu edhe në ato jo aq të mira, jam përpjekur ta normalizoj. Kur nuk munda ta duroja më, kërkova ndihmë dhe ishte një domosdoshmëri sepse nuk mund të shihja si të dilja nga një moment kaq i vështirë. Ky proces më bëri më mirë", shtoi më tej ish-futbollisti.
Duke treguar solidaritet, Iniesta përcjell gjithashtu një mesazh sensibilizimi për të gjithë ata që përballen me sfida të ngjashme: “Secili ka situatën e vet. Ka situata ku, për fat të keq, njerëzit nuk mund ta dalin dot nga një tunel kaq i komplikuar”, përfundoi ai.
Kjo nuk është hera e parë që spanjolli ndan këtë histori intime. Në vitin 2016, përmes autobiografisë së tij të titulluar „Lëvizja e Jetës Sime“, ai shkruante hapur: "Nuk isha unë. Humba besimin në vetvete, ishte diçka e tmerrshme, e padurueshme, nuk e dija çfarë po më ndodhte, por nuk isha unë".
Ndërkohë, në vitin 2025, ai pranoi se mbështetja e dhënë nga Pep Guardiola dhe stafi i tij teknik ishte vendimtare për daljen nga ajo gjendje: "Pa këtë kuptim, do a kishte qenë praktikisht e pamundur të dilja që andej".
Sot, në moshën 42-vjeçare, teksa ushtron detyrën e trajnerit te Gulf United, Andres Iniesta vazhdon ta rrëfejë historinë e tij pa droje apo komplekse. Qëllimi i tij nuk është të mbajë leksione morale, por të sigurohet që askush të mos ndihet i vetmuar në errësirën e sfidave të jetës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: