Kronikë
Tragjedi në SHBA: 49-vjeçarja ekzekutohet në banesë, arrestohet djali i saj pas arratisjes
Reklamë e Sponsorizuar
Një krim i rëndë ka tronditur komunitetin e Reading në Massachusetts të SHBA-së, ku një 49-vjeçare ka humbur jetën pasi është qëlluar për vdekje me armë zjarri brenda shtëpisë së saj.
Autorësinë e kësaj ngjarjeje tragjike autoritet ia faturojnë djalit 22-vjeçar të viktimës. Pas kryerjes së krimit, i riu është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa është prangosur pas disa orësh operacionesh kërkimore në territorin e shtetit fqinj të Vermontit.
Trupi i pajetë i Andria Hanafin u gjet në ambientet e kuzhinës rreth orës 00:38 të së enjtes. Ishte bashkëshorti i saj, Matthew Hanafin, ai që dha alarmin pasi u kthye nga puna dhe njoftoi shërbimet e urgjencës, të cilat konfirmuan vdekjen e gruas në vend.
Dëshmitë e mbledhura nga prokurorja e qarkut Middlesex, Marian Ryan, tregojnë se gjatë orëve kritike në shtëpi ndodhej edhe djali 13-vjeçar i çiftit. Ky i fundit ka deklaruar para hetuesve se e kishte parë nënën për herë të fundit rreth orës 17:00, para se të largohej me shoqërinë, kurse me t'u kthyer rreth orës 21:00, ishte mbyllur menjëherë në dhomën e tij.
Ndërkohë, djali më i madh i familjes, 22-vjeçari Ryan Hanafin, ishte shpallur i humbur së bashku me automjetin e tij tip Dodge Charger i zi, prodhim i vitit 2010.
Menjëherë pas kësaj, strukturat policore të Massachusetts vunë në lëvizje kolegët e tyre në Vermont, pasi dyshonin se i dyshuari mund të ishte drejtuar drejt zonës së Warrenit, e cila ndodhet rreth 270 kilometra larg vendit të krimit.
Operacioni dha fryt të enjten pasdite, rreth orës 14:30, kur policia e Vermontit bëri të mundur lokalizimin e automjetit dhe ndalimin e drejtuesit të tij. Ryan Hanafin u arrestua formalisht dhe u vu nën akuzë si person i arratisur nga drejtësia, duke u lënë në paraburgim pa të drejtë kushtese, ndërsa dalja e tij para togave të zeza është parashikuar për të premten pasdite.
Sipas informacioneve të bëra publike nga prokurorja, i riu kishte në pronësi ligjore disa armë zjarri, leja e të cilave u revokua mëngjesin e së enjtes. Autoritetet konfirmuar se familja nuk kishte pasur konflikte të mëparshme të regjistruara me policinë dhe nuk kishte të dhëna për probleme të shëndetit mendor të të riut, ndërsa arsyet që çuan në këtë akt mbeten ende të paqarta.
Andria Hanafin, nënë e tre fëmijëve, është kujtuar me dhimbje e respekt nga miqtë dhe të afërmit si një njeri bamirës dhe i përkushtuar. Në momentin e ngjarjes, vajza e çiftit ndodhej jashtë vendit për arsye studimesh universitare.
"Është e pamundur të përshkruhet dhimbja e humbjes së dikujt kaq papritur dhe në mënyrë tragjike", ka u shpreh mikja e familjes, Heather Gagliardi, përmes një nismë online për ndihmë financiare.
Ajo e vlerësoi 49-vjeçaren si një grua me shpirt të madh, që kujdesej vazhdimisht për të tjerët dhe nuk i kursente ndihmën askujt në nevojë. Ndërkohë, grupet hetimore vijojnë punën intensive për zbardhjen e plotë të motiveve dhe dinamikës së ngjarjes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: