Botë
Diplomacia në lëvizje: Denion Meidani shpalos vizionin e tij për misionin në Prishtinë
Reklamë e Sponsorizuar
Kandidati i ri për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Denion Meidani, është paraqitur këtë të premte para Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku ka dorëzuar zyrtarisht platformën e tij për këtë detyrë.
Kjo seancë dëgjimore vjen si pjesë e një ndryshimi në korpusin diplomatik mes Tiranës dhe Prishtinës. Sipas kësaj lëvizjeje, Meidani, i cili aktualisht shërben si kryetar i misionit diplomatik në Shkup, do të marrë drejtimin e përfaqësisë shqiptare në Kosovë, ndërsa diplomati Petrit Malaj do të kalojë për të drejtuar ambasadën në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Meidani e cilësoi misionin e ardhshëm si një mision të lartë shtetëror dhe një urë lidhëse thelbësore mes dy vendeve. Ai solli në vëmendje edhe ngjarjet e dhimbshme të pranverës së vitit 1999 dhe kontributin e dhënë nga babai i tij, ish-presidenti Rexhep Meidani, në mbështetje të popullit kosovar gjatë kohës së luftës.
“Të nderuar, ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur kandidaturën time si Ambasador i Shqipërisë në Kosovë. E pranoj këtë përgjegjësi, sepse është një urë e rëndësishme mes dy shteteve të një kombi. Në pranverë 1999 kur Kosova po vuante, babai im, Rexhep Meidani premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Kosova në ato ditë për familjen tonë ishte më shumë se politikë. Për mua tashmë është një nder i madh, mbaj me vete ADN e babait tim”, deklaroi Meidani.
Ndërkohë, platformën e tij para komisionit parlamentar e ka prezantuar edhe Petrit Malaj, i cili ka vënë theksin te rëndësia strategjike e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.
“Të nderuar, detyra si ambasador i Shqipërisë në Kosovë ka ka qenë përvojë e veçantë dhe e rëndësishme, kam pasur fatin të punoj për thellimin e marrëdhënieve politike dhe njerëzore. Përvoja më ka mësuar qartë se nuk kërkohet vetëm diplomaci, por edhe besim, pari dhe punë konkrete. Marrëdhënia me Maqedoninë e Veriut është bartëse e një rëndësie të veçantë, ne jemi miq, që e njohim të shkuarën dhe të ardhmen e përbashkët. Një Maqedoni e Veriut më demokratike dhe europiane është në interes të shqiptareve, maqedonasve dhe gjithë rajonit. Marrëdhënie të forta shtetërore, prioriteti im i parë i këtij mandati do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe institucionale midis dy vendeve. Unë do të synoj vendosjen e një formati komunikimi të rregullt me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme në Maqedoninë e Veriut, sikurse me institucionet e tjera shtetërore, partitë politike, institucionet e drejtësisë dhe botën akademike”, u shpreh ndër të tjera Malaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: