Politikë
Epoka e re në Presidencë: Çfarë pritet nga mandati i Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit?
Reklamë e Sponsorizuar
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, e konkretizuar me 51 vota, ka mbyllur përfundimisht ngërçin e gjatë politik, duke shmangur kështu mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme.
Pas një periudhe të tensionuar politike, sytë e opinionit publik dhe aktorëve vendorë janë drejtuar nga sfidat që e presin kreun e ri të shtetit, veçanërisht në mbarëvajtjen e institucioneve, harmonizimin e marrëdhënieve ndërpartiake dhe përfaqësimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.
Analistët dhe njohësit e rrethanave politike theksojnë se ngjitja e Shiroka-Pulës në krye të shtetit mund të sjellë një kthesë pozitive drejt stabilitetit institucional dhe uljes së fërkimeve politike. Përvoja e saj e gjatë akademike dhe publike konsiderohet si një aset i rëndësishëm për të krijuar një frymë më konstruktive mes subjekteve politike, si dhe për të forcuar partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë.
Në një prononcim lidhur me këtë zhvillim, publicisti dhe analisti politik Ismail Muqiqi e ka cilësuar këtë moment si historik për stabilitetin e vendit, duke i thurur elozhe personalitetit dhe karrierës së presidentes së re.
“Është fat i mirë për Republikën e Kosovës, për institucionet e shtetit, për qytetarët e këtij vendi që më në fund u zgjodh Presidentja e Kosovës Justina Shiroka-Pula. Pas ngjarjeve dramatike që ndodhën përmes bllokadave të partive politike dhe protestave të ndihmuara nga një numër i të ashtuquajturve gazetarë që punojnë në disa mjete të informimit e të cilët i fryn zjarrit që të krijohet mjegull dhe kaos në Kosovë më në fund mbizotëroj arsyeja e deputetëve për ta zgjedhur kreun e institucionit më të lartë të shtetit”, ka theksuar Muqiqi.
Më tej, ai ka shprehur besimin e plotë se profili i saj multidimensional do të shërbejë si një urë lidhëse për të ulur tensionet dhe për të kthyer normalitetin në skenën politike vendore.
“Mendoj se Justina Shiroka-Pula ka një profil të begatshëm intelektual, shkencorë e politikë dhe pa asnjë dyshim do të jetë në shërbim të avancimit dhe ndërtimit të raporteve normale ndërmjet partive politike dhe do të jetë urë lidhëse në normalizimin e gjendjes politike dhe institucionale në Kosovë”, u shpreh ai.
Muqiqi gjithashtu vuri inatin personal të politikanëve në sfond, duke shpresuar se bagazhi i presidentes do të shërbejë për të afruar sërish liderët e ndarë nga interesat partiake.
“Po ashtu, vlerësoj se Presidentja e zgjedhur me bagazhin e saj intelektual dhe me përvojën e gjatë te saj në jetën publike do të kontribuoj në përafrimin e raporteve ndër njerëzorë të rivalëve politikë që u rrënuan kohë më pare për shkak të interesave personale e parciale për të ardhurat në pushtet”, shtoi ai.
Në rrafshin e diplomacisë, ai pret që shefja e re e shtetit të luajë një rol aktiv në arenën ndërkombëtare.
“Justina Shiroka-Pula shpresoj se do ta luaj rolin e saj si Presidente e vendit edhe në avancimin e Kosovës në raportet diplomatike me institucionet ndërkombëtare të shteteve të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe më gjerë”, përfundoi Ismail Muqiqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: