Kronikë
Bllokimi i pagave në NPB, reagon Gjykata Supreme: Lënda po trajtohet, nuk mund të paragjykojmë afatet
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Supreme e Kosovës ka dalë me një nomunikatë zyrtare lidhur me protestën e paralajmëruar nga stafi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) për javën e ardhshme, e cila vjen si pasojë e bllokimit të llogarive financiare dhe pamundësisë për të marrë pagat.
Institucioni i lartë i drejtësisë ka konfirmuar se dosja që i takon këtij konflikti gjyqësor është dorëzuar dhe regjistruar zyrtarisht më 21 gusht 2026, ndërkohë që aktualisht po kalon fazën e shqyrtimit.
Në reagimin e saj, Gjykata ka theksuar se i kupton plotësisht brengat e punonjësve të NPB-së, të cilët sipas raportimeve mediatike po mbesin pa paga për shkak të ngërçit me llogaritë bankare të ndërmarrjes.
Pavarësisht situatës, Supremja ka rikujtuar se procedurat e shqyrtimit të çështjeve zhvillohen rreptësisht bazuar në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi. Përcaktimi i prioriteteve, sipas gjykatës, bëhet në atë mënyrë që të sigurohet një qasje e barabartë dhe plotësisht e paanshme ndaj të gjitha palëve në proces.
Sipas sqarimit zyrtar, ky institucion nuk ka mundësi të parashikojë apo të paragjykojë se kur do të përmbyllet përfundimisht shqyrtimi i kësaj lënde.
“Për kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndës konkrete, Gjykata Supreme nuk mund të paragjykojë afatin e përfundimit të saj. Çdo vendimmarrje do të merret në bazë të ligjit dhe të rrethanave të çështjes, në ushtrim të pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore. Gjykata Supreme respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për të shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, rikujton rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe të shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Gjykata Supreme ka ritheksuar përkushtimin e saj të palëkundur në përmbushjen e mandateve kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar se secila dosje trajtohet në përputhje të plotë me ligjin, paanshmërinë dhe standardet e kërkuara të drejtësisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: