Sport
Afrimet e bujshme të Vllaznisë në enigmë, dy lojtarë ende pa asnjë minutë në pesë javët e para
Reklamë e Sponsorizuar
Në këtë nisje të edicionit të ri futbollistik, situata e dy prej futbollistëve të Vllaznisë është shndërruar në një mister të vërtetë për ambientin shkodran.
Bëhet fjalë për Bruno Brajkoviç dhe Amin Tahirin, dy lojhtarë me profile dhe rrugëtim të ndryshëm, të cilët kanë një të përbashkët të pakundërshtueshme: nuk kanë figuruar në asnjë prej listave të skuadrës kuqeblu gjatë pesë javëve të para të kampionatit.
Në një kohë kur ekipi po ndesh vështirësi në kompozimin e formacionit, mungesa e tyre ka ngritur pikëpyetje të mëdha. Brajkoviç, i cili u bashkua me Vllazninë si goditja e parë e merkatos verore me synimin për të mbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes, nuk ka bindur për të fituar një vend në planet e stafit teknik.
Futbollisti kroat ka mbetur jashtë çdo llogarie për takimet zyrtare të Superiores, ndërsa pozita e tij paraqitet e paqartë. Megjithatë, burimet konfirmojnë se ai gëzon gjendje të mirë fizike, stërvitet rregullisht dhe ka vendosur të mbetet në Shkodër, pavarësisht mungesës së grumbullimeve. E ardhmja e tij pritet të marrë një drejtim të qartë vetëm gjatë merkatos së janarit, periudhë kur mund të ketë lëvizje në organikë.
Nga ana tjetër, një tjetër enigmë e merkatos verore të kuqebluve është Amin Tahiri, i cili u afrua në momentet e fundit të sesionit të transferimeve. Mesfushori shkodran pati paraqitje premtuese në ndeshjet miqësore para se të niste sezoni, duke lënë të kuptohej se do të përbënte një armë shtesë për mesfushën.
Megjithatë, pesë sfidat e para e kanë gjetur atë larg fushave të blerta për shkak të një dëmtimi muskulor që e ka kushtëzuar. Me rifillimin e kampionatit, Tahiri pritet të bashkohet me grupin, duke i dhënë stafit teknik një alternativë mjaft të nevojshme për të shtuar freskinë dhe konkurrencën në repartin e mesfushës.
Kështu, dy histori të ndryshme bashkohen te e njëjta faturë e mungesave në këtë start sezoni. Ndërsa Brajkoviç mbetet jashtë zgjedhjeve teknike pa patur probleme shëndetësore, Tahiri shpreson që pas rikuperimit të lërë pas dëmtimin dhe të nisë kontributin e tij për fanellën kuqeblu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: