Kronikë
Ndryshimet në Ligjin për Specialen nuk garantojnë lirim, Hisen Berisha: Kush premton të kundërtën po mashtron
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka analizuar efektet juridike të amendamenteve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, nismë kjo e ndërmarrë nga PDK-ja dhe e miratuar në Kuvend. Ai ka sqaruar prerazi se këto ndryshime ligjore nuk kanë fuqi të rrëzojnë vendimet e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Berishës, pritjet se ky plotësim-ndryshim ligjor do të sjellë lirinë e menjëhershme për ish-drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë janë të pabaza. Ai vuri në dukje se kjo iniciativë ligjore nuk ndërhyn dhe nuk ndikon drejtpërdrejt në vendimet e trupit gjykues.
"Nuk i hap dyert e burgut për ata që po mbahen. Nëse dikush ka besuar se ky ligj do t’i lirojë ata, e ka plotësisht gabim. Kufizimi i mandatit nuk e hedh poshtë verdiktin e marrë. Sipas vlerësimit tim profesional, ky ligj, pavarësisht pretendimeve, nuk e rrëzon aktgjykimin dhe as nuk e shfuqizon përgjegjësinë penale të konstatuar nga këto dhoma", ka deklaruar Berisha.
Më tej, ish-deputeti i PDK-së ka ngritur dyshime të forta duke i konsideruar premtimet e tilla si një mashtrim të opinionit publik, nëse ato nuk arrijnë të shfuqizojnë vendimin e gjykatës.
"Në qoftë se kufizimi i dënimit në 15 vjet nuk nënkupton rrëzimin e aktgjykimit, a nuk përbën kjo një mashtrim? Nëse vuajtja e dënimit në Kosovë nuk do të thotë lirim nga qelia, a nuk është mashtrim? Po ashtu, nëse falja nga ana e presidentes nuk nënkupton pafajësi, a nuk kemi të bëjmë sërish me mashtrim?", ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: