Sport
Kombëtarja zbret në fushë: Kuqezinjtë nisin rrugëtimin e ri në Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Shqipërisë luan mbrëmjen e sotme sfidën e parë të vlefshme për Ligën e Kombeve, ku do të presë në stadiumin “Air Albania” kombëtaren e Bjellorusisë, me takimin që do të startojë në orën 20:45.
Kjo përballje përkon edhe me paraqitjen e parë zyrtare të trajnerit italian Rolando Maran në krye të stolit kuqezi. Pas seancave stërvitore të zhvilluara gjatë këtyre ditëve, tekniku ka vlerësuar gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar nga lojtarët, ndërkohë që ka preferuar të mos bëjë publik formacionin startues.
“Nis aventura ime si trajner i Shqipërisë. Është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë dhe kjo më stimulon më shumë”, u shpreh Maran para këtij takimi.
Objektivi i grupit është një nisje mbarë dhe sigurimi i vendit të parë në grup. Edhe kapiteni Berat Gjimshiti ka rikonfirmuar ambiciet e larta të skuadrës për të synuar një tjetër kualifikim historik drejt Kampionatit Europian.
“Duam vendin e parë, të kemi mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi dhe kjo është rruga e duhur”, deklaroi Gjimshiti.
Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Maran do të duhet të bëjë pa shërbimet e mesfushorit Qazim Laçi, i cili është dëmtuar gjatë seancës stërvitore të një ditë më parë.
Ndërkohë, nga tribuna do t'i ndjekin shokët e skuadrës Adrion Pajaziti, Luis Hasa, Sabah Kerjota dhe portieri Simon Simoni. Përveç këtyre mungesave, lajmi i mirë për stafin teknik është rikuperimi i plotë i Kristjan Asllanit.
Përveç tyre, në këtë listë grumbullimi mungojnë emra si Armando Broja, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani, ndërsa bie në sy rikthimi i portierit Etrit Berisha pas një mungese dyvjeçare në radhët e Kombëtares.
Bjellorusia vjen në këtë transfertë në Tiranë pas një ecurie prej gjashtë ndeshjesh pa njohur humbje, duke e shndërruar sfidën e sotme në një provë të vështirë dhe domethënëse përfaqësuese për kuqezinjtë.
Pas këtij duel hapës, kalendari i Shqipërisë në Ligën e Kombeve parasheh edhe tri angazhime të tjera: më 29 shtator përballet me San Marinon, më 3 tetor luan kundër Finlandës dhe më 6 tetor mbyll këtë fazë sërish ndaj San Marinos.
Lista e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Simon Simoni.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj, Ivan Balliu.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi, Sabah Kerjota.
Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni, Cristian Shpendi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: