Kronikë
Arsenal armësh dhe pajisje ushtarake zbulohen brenda një objekti të pabanuar në Leposaviq
Reklamë e Sponsorizuar
Një armë zjarri e llojit AK-47, një sasi e konsiderueshme municioni dhe disa pajisje ushtarake janë zbuluar nga autoritetet brenda një shtëpie pa banorë në fshatin Dren të komunës së Leposaviqit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka bërë të ditur për portalin tonë se ngjarja po trajtohet me seriozitet dhe se hetimet janë në zhvillim e sipër.
“Aktualisht jemi në fazën e identifikimit të pronarit të pronës ku u gjetën armët, pas së cilës do të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm ligjorë”, ka deklaruar Preteni.
Bazuar në informacionet e Policisë së Kosovës, rasti u denoncua më 7 tetor, rreth orës 16:30, pas pranimit të një informate operative. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka hapur procedurat zyrtare për të zbardhur pronësinë e vendit.
Gjatë kontrollit të kryer nga njësitet kompetente policore në këtë objekt të pabanuar, janë sekuestruar një armë AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 119 fishekë të kalibrit 7.62×39 milimetra, si dhe veshje e pajisje ushtarake, përfshirë pantallona, një kapelë dhe një termos.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: