Politikë
Gjini pas zgjedhjes së presidenteve: Kosova i la pas bllokadat, Aleanca kalon në opozitë të ashpër
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në krye të shtetit, duke vlerësuar se përmbyllja e këtij procesi institucional i jep fund ngërçeve politike dhe ciklit të zgjedhjeve të njëpasnjëshme në vend. Sipas tij, ky zhvillim përbën një lajm tejet pozitiv për qytetarët dhe stabilitetin e përgjithshëm të Kosovës.
“Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!”, ka shkruar ndër të tjera Gjini.
Duke u ndalur te qëndrimet e partisë së tij, Gjini u shpreh se Aleanca ka vepruar me parime të qarta, pa u përfshirë në pazare apo llogari të çastit të fundit. Ai kujtoi se formacioni i tij politik kishte ofruar një zgjidhje të hapur që në periudhën e paszgjedhjeve, me qëllim që vendi të shmangte zvarritjet dhe zgjedhjet e reja të panevojshme.
“Sot, bashkë me të gjithë kolegët e mi në Aleancë, para votuesve tanë dhe qytetarëve të Kosovës, jemi me kokën lartë. Aleanca nuk ka hyrë në lojërat e diktuara për pushtet e as në kalkulimet e minutës së fundit. Ne kemi qenë të parët që kemi dalë me ofertë të qartë dhe të sinqertë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse e kemi ditur që Kosova nuk ka nevojë të zvarritet e të shkojë sërish në zgjedhje. Oferta jonë pa asnjë kusht, ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët, njëjtë si qëndrimi jonë për Specialen dhe vota pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, u shpreh Gjini.
Në vijim, kreu i Aleancës theksoi se tashmë barra e qeverisjes i takon ekskluzivisht atyre që kanë marrë mandatin, ndërsa subjekti që ai drejton do ta orientojë angazhimin e tij drejt punës së përditshme në terren.
“Sot, koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren. Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti. Nuk ka më hapësirë për arsyetime!”, theksoi Gjini.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: